Grekët keqtrajotjnë emigrantin e radhës
01/04/2005 KORÇË - Grekët duket se do të rrisin rastet e shqiptarëve të rrahur nga policia vendore. Një 30-vjeçar, lindur në fshatin Radovickë, të rrethit të Kolonjës, banor i qytetit të Laçit, është kthyer në banesë me shenjat e dhunës në trup. Alfons Bajram Cenika, është deportuar nga pala greke i keqtrajtuar dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Sipas burimeve pranë kësaj dogane mësohet se i dëmtuari punonte në afërsi të qytetit të Larisës. Pas kontrollit që i është bërë nga policia greke, ai ka rezultuar emigrant i paligjshëm në këtë shtet, pa dokumentacionin përkatës. Cenika është shoqëruar më pas për në komisariatin e Kardhicës, vend në të cilin ai është keqtrajtuar vazhdimisht për gati 2 orë. 30- vjeçarit i ka rënë të fikët për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme në trup. Policët grekë e kanë shoqëruar në spital momentin kur i riu ishte pa ndjenja. Eshtë mbajtur vetëm një natë dhe ditën tjetër ai është sjellë në doganë. Policia e Devollit, pasi e ka parë gjendjen e rëndë të emigrantit, e dërgoi atë në spital. Menjëherë kanë nisur hetimet për këtë rast, i cili nuk është i vetmi.