E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika të reja sociale”

01/04/2005  Ministri Bejtaj premton

SHKODËR - Politika të reja sociale do të ndërmarrë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, bëri të ditur ministri Engjëll Bejtaj dje në Shkodër. Do ketë reforma të thella në modernizimin e shërbimeve sociale, tha ai. Reformat konsistojnë në hartimin e politikave sociale, miratimin e ligjit të ri për shërbimet sociale, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Shërbimet Sociale, reformimin dhe decentralizimin e shërbimeve si dhe sigurimin e standardeve per to.

Për të promovuar politikat e reja sociale, si edhe disa projekte të tjera, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, ishte dje për vizitë në Shkodër. Ministri pati një takim në bashkinë e Shkodrës, me përfaqësues të pushtetit lokal, zyrat lokale të përkujdesit social, donatorë si edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, që veprojnë në Qarkun e Shkodrës.

“Kalimi i institucioneve rezidenciale të përkujdesit shoqëror në përgjegjësi të qeverisjes vendore dhe transformimi gradual i tyre në forma të reja të shërbimeve sociale, është një synim i veçantë i reformës në fushën e shërbimeve sociale. Ky kalim do të kryhet pa dëmtuar përfituesit e këtyre shërbimeve”, deklaroi ministri Bejtaj. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, me mbështetjen teknike të siguruar nga Kredia e Bankës Botërore përmes Projektit Shpërndarja e Shërbimeve Sociale (PSHSHS), po bën efektiv reformimin e sherbimeve te përkujdesit shoqëror. Nga ky proces, për Qarkun e Shkodrës kanë marrë miratimin final 5 projekte, nga të cilat 3 për Bashkinë e Shkodrës, 1 për Bashkinë e Pukës dhe 1 për Komunën e Bushatit me financim total prej 528.000 USD.

Nga shuma totale e financimit për Qarkun e Shkodrës 159.600 USD do të shkojnë për ofrimin e Shërbimeve, 279.500 USD për pajisjen me infrastrukturen e nevojshme për një funksionim sa më efiçent të këtyre qendrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›