E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështon votimi i Kodit Zgjedhor

24/12/2004  Seanca e parë e shqyrtimit të "Kodit Zgjedhor" ka dështuar, pas 4 orë debatesh. Ndryshe nga sa pritej, mes forcave politike është vënë re mungesa e frymës konsensuale për miratimin e reformës zgjedhore. Shkak për këtë është bërë kërkesa për miratimin e ndarjes elektorale. Nga ana e tyre, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga socialistët të miratonin fillimisht ndarjen elektorale, si një garanci për kalimin e plotë të reformës zgjedhore. Për t'i dhënë zgjidhje debatit, Byroja ka vendosur që të kërkohet ndihma OSBE-së, ku do të sqarohen dhe me tej detajet për kriteret e ndarjes elektorale. Sot paradite, para nisjes së punës në Kuvend, Fatos Beja, Jemin Gjana, Ylli Bufi dhe Elmaz Sherifi, me koordinimin e përfaqësuesve të OSBE, do të përcaktojnë se si do të veprohet me ndarjen elektorale, që është kthyer në këtë fundviti në ndarjen mes socialistëve dhe demokratëve. Si rrjedhojë e kësaj shtyrjeje, është vendosur që punimet e parlamentit të vijojnë deri në votimin përfundimtar të Kodit Zgjedhor.

Ftesa

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar socialistët që të votojnë dhe kërkesën e Presidentit të Republikës, i cili kërkoi përfshirjen e të gjitha partive parlamentare në komisionet e numërimit të votave. Në këtë mënyrë, kreu demokrat ka dalë në mbështetje të kërkesave të LSI-së dhe të LZHK-së. Në rast se kjo do të pranohet nga socialistët, do të duhet të ndryshojë dhe neni për përbërjen e komisioneve zgjedhore zonale. Komisioni Bipartizan, që ka hartuar ndryshimet në Kod, është shprehur se vetëm 6 parti e kanë të drejtën për të pasur përfaqësues në komisionet e numërimit të votave. Kështuqë, nga opozita do të kenë të drejtën për të pasur anëtar, PD-ja, PDR-ja dhe PR-ja. Kurse nga mazhoranca do të kenë anëtarë, PS-ja, PSD-ja dhe PBDNJ-ja. Presidenti ka kërkuar që të njihen zhvillimet e fundit parlamentare, duke lënë të nënkuptuar se LSI dhe LZHK kanë një përqindje të madhe në Kuvend.

Debatet

Debatet në parlament janë përqëndruar në projektligjin për ndarjen e zonave elektorale, ku dy forcat kryesore të politikës kanë mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta. PD-ja ka kërkuar që të dy projektligjet duhet të kalojnë si një paketë e vetme e reformës zgjedhore. Ndërkohë që PS-ja ka mbrojtur tezën se duhet ta miratohet më parë projektligji për kodin zgjedhor dhe më pas të fillojë shqyrtimi për zonat elektorale. Për këtë çështje, socialistët janë shprehur se "ndarja e zonave elektorale, sipas pjesëmarrjes në zgjedhjet e 12 tetorit 2003, është antikushtetuese", duke deklaruar votën kundër draftit. Nga ana tjetër, opozita nuk ka lejuar diskutimin për Kodin Zgjedhor, duke zhvilluar debate për më shumë se 4 orë rresht pa asnjë rezultat konkret.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›