Nano, gati emërimi i Zamira Cakës
24/12/2004 Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ksenofon Krisafi, ka dhënë dje dorëheqjen nga detyra, pasi është zgjedhur në postin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Menjëherë pas paraqitjes së dorëheqjes, kanë nisur dhe procedurat e zëvendësimit, si dhe të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm. Kristafi është zgjedhur në këtë detyrë me propozim të Këshillit të Ministrave dhe me miratimin e parlamentit të Shqipërisë. Ligji organik nuk e lejon që anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të ketë mandat në Këshillin e Ministrave, apo në poste të tjera të larta. Krisafi ka marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, pas dorëheqjes së parevokueshme të Ylli Manjanit. Ky i fundit ka kërkuar lënien e detyrës, pasi një konflikti me Kryeministrin, gjatë periudhës së hedhjes në gjyq të Nikollë Lesit. Megjithatë, sekretari i Përgjithshëm, Krisafi, në votimin në Kuvend për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, ka marrë 72 vota pro. Nga ana tjetër mësohet se shumë shpejt Nano do të paraqesë emrin që do të mbajë postin e mbetur vakant. Këshilltarja për Marrëdhëniet Juridike, Zamira Caka, pritet të marrë javën e ardhshme detyrën e re. Caka ka mbajtur mandatin e deputetit nga viti 1997-2001. Ndërsa në postin e këshilltares Juridike ka marrë mbështetje prej sumicës së administratës dhe të Kryeministrit. Procedura e emërimit të Cakës dhe e shkarkimit të Krisafit, pritet të bëhen publike javën e ardhshme, ndërsa thuhet se tashmë ka mbetur pa u kryer vetëm formalizimi i vendimit.