Sa më pak politikë dhe sa më shumë zgjidhje konkrete
Realitetit, sado sheqer t’i hedhësh, ka shijen e piperit, dhe këtë e ndjejnë të gjithë. Është më mirë nëse problemet pranohen. Varfëri dhe papunësi, në Shqipëri ka shumë dhe këtë nuk ka si ta fshehë asnjë qeveri e asnjë kryeministër.
Papunësi dhe varfëri ka edhe në vende shumë më të zhvilluara se ne dhe nuk del ndonjë qeveri ta mohojë atje, sepse të zezës nuk i thuhet e bardhë. Në Shtetet e Bashkuara, p.sh., shifrat më të fundit tregojnë se niveli i papunësisë në vend është më i larti që prej 14 vjetësh. Në Britaninë e Madhe niveli papunësisë është më i lartë që prej vitit 1997.
Në Shqipëri, çështja e papunësisë vazhdon të mbetet sfidë e qeverive. Në perëndim ajo është një prej pasojave të krizës ekonomike që shteti social po përpiqet ta zbusë. Sa më pak politikë dhe sa më shumë zgjidhje konkrete për tema konkrete: Si ndihmohen të papunët, si funksionon tregu i punës, çfarë ndihme jep shteti për personat në nevojë dhe si duket perspektiva.