Na rrofshin kollaret e ministrave tanë çunakë
Bën përshtypje se, ndërsa citimet në media të qeverisë shqiptare flasin për ndërtimin e një varreze të ushtarëve grekë në Këlcyrë, ministrja e Jashtme greke ka thënë shprehimisht se ato do të jenë dy dhe kërkesat janë për tri.
Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, e lëshoi të premten në mesditë një deklaratë për shtyp, ku thuhet: "U nënshkrua dje në Tiranë marrëveshja greko-shqiptare për krijimin e dy varrezave ushtarake në Shqipëri, për grekët që ranë gjatë luftës Italo-Greke në vitet 1940-1941".
"Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje", - sipas ministres, - "i jep zgjidhje një çështjeje me rëndësi humanitare dhe emocionale, për gjithë popullin grek.
Që prej vitit 1997, Greqia ka shtruar vazhdimisht, në çdo kontakt të niveleve të larta me palën shqiptare, kërkesën për ndërtimin e tri varrezave për ushtarët e rënë gjatë luftës Italo-Greke, dhe në disa raste ka marrë premtimin nga Tirana zyrtare.
Absolutisht nuk kam asgjë kundër nderimit të të vdekurve dhe do të ishte çnjerëzore të merreshim në kontekste agresive me këto probleme. Por, ajo që më shqetëson si qytetar shqiptar është që nuk kuptoj pse nuk ka reciprocitet në këto marrëdhënie? Njësoj, si Tirana, si Prishtina. Të tjerët kërkojnë e marrin, ne vetëm japim. Na rrofshin kollaret dhe buzëqeshjet e ministrave tanë çunakë. Kaq pa dinjitet jemi? Kaq pa forcë bindëse? Kaq inferiorë? Përse vallë?