E Diel, 1 Nëntor 2026

Deti i poetit dhe deti i shqiptarëve

Rifat ISMAILI ç’e dallon një libër nga një tjetër, një shkrimtar nga një tjetër shkrimtar? Si ta dallojmë një shkrimtar krejt të veçantë, vërtet të talentuar (dhe mbase edhe me dell e shkëndija gjeniu) mes poetëve të mirë dhe poetëve të suksesshëm e mjaft të suksesshëm? Besimi im është se shenjat janë të plota dhe jo të fshehta. Mënyra sesi ai shkruan. Stili. Fryma. Dehja që të mbush. Prishja e modelit për të sjellë model të ri, model që shpesh shkon pa vënë re nga bashkëkohësit e mësuar me klishe, skema standarde apo skema shkrimore që ofrojnë siguri vetëm prej faktit se janë të sigurta e të pranuara. Pra gjithçka që e bën atë të veçantë nga të tjerët, ndryshe, jo lehtësisht të pranueshëm dhe të kuptueshëm. Pikërisht kjo gjë e bënte të veçantë Kadarenë përkrah bashkëkombësve të tij dhe po kjo gjë e bën sot të veçantë edhe Arian Lekën në lidhje me mjaft autorë të tjerë që shkruan e vazhdojnë të shkruajnë poezi. Mënyra sesi ai ofrohet, sidomos lënda dhe jo thjesht forma që ai ofron, pozicionimi më i vështirë, ai i modernitetit pa shkallmuar paraardhësit e vet të cilësuar me emër, por duke restauruar klasicizmin, misticizmi poetik, nostalgjia e përmallimi i botës ku ai është “kapur” rob, hamendësimi i së ardhmes përmes letrave të shkruara, kulturat e ndryshme që ai mbart, tematika e gjerë, e thellë, e qashtër dhe e turbull si deti, teknikat shkrimore dhe mbi të gjitha besimi. Shkurt, 3 libra me poetikë të rrallë në 10 vjet, libra si “Anija e Gjumit”, “Strabizëm” e më së fundmi “Libër Deti”, janë gjurmë në kujtesën poetike të shqiptarit-lexues, libra të mjaftueshëm për ta vështruar tashmë më bindje atë që ky autor i ka sjellë jo thjesht poezisë së tij, por gjithë poezisë shqipe.“Mos ki frikë. Bota është bërë për të qenë varkë.Jeta shëtitje. Si të endesh pa menduar për vdekjen nga kiçi në bash.”“Libër Deti” është një libër ëndrrash për atë që nuk ka parë ëndrra kurrë. është një libër që s’matet. Duket sikur masat, ato me të cilat peshojmë, matim, shqyrtojmë duhen ndërruar. Para nesh shfaqet një poetikë e re së cilës duhet t’i qasemi me fjalë të reja. “Libër deti” është një libër që s’përdhoset dot edhe nëse nuk jemi ende gati për të. Edhe nëse heshtim, edhe nëse brohorasim me entuziazëm, “Libër deti” do mbetet aty, si një anije e madhe që erdhi të ankorohet në portin tonë mësuar me “maune rëre dhe me varka me fund të cekët.” E nëse kjo anije e madhe do të kishte gdhendur në bash emrin Montale, Pesoa, Paund ndoshta do ishim më të gatshëm ta pranonim, siç jemi gati të pranojmë se mrekullitë krijohen larg nesh, vijnë vetëm nga jashtë. Po ja ku e kemi përballë një mrekulli, të bukur, të frikshme, sa nuk e di nëse jemi të gatshëm t’i dalim për zot e ta shpallim. Duket sikur na është venitur ajo dëshirë e Kutelit për të shpallur Lasgushin e Koliqin për Migjenin, e të gjithëve për Kadarenë.“Ajo që ka vdekur tek unë do jetojë sa unë të jemPastaj të dy do kërkojmë tjetër formë, Tjetër enë ku të zbrazim veten...”“Libër deti” duket, apo më mirë ndihet të jetë shkruar i gjithi me një frymë ose me frymë. Pena, dora e poetit nuk duket. Me rrema të gjatë anijesh mund të jetë shkruar, e ndoshta në gjendjen e jermit njerëzor, që për poetin kthehet në kthjelltësi, thellësi, errësirë, forcë, egërsi, pamëshirë që dhe mund të vrasë. Pra, pyetja e parë ishte çfarë e dallon një libër nga një tjetër? Jo vargjet, por i gjithë libri dhe ç’është shkruar dhe ka lënë shenjë brenda tij. Arian Leka nuk ka shkruar kurrë përmbledhje me poezi, ka shkruar libra poetikë të përkryer.Ky libër na bën detar, pasi siç është thënë “i kushtohet atyre që i qëndruan detit përballë dhe atyre që i kthyen shpinën”. Arian Leka edhe pse tashmë ‘i larguar’, ‘i mërguar’ nga qyteti i tij i zemrës, Durrësi edhe pse jeton “me një shigjetë letre në shpinë”, siç edhe ka shkruar në një poezi më të hershme, nuk e ka qytetin detar shtëpi, por shpirt. Jeta ka përveshur mëngët për sfidën më të madhe ndaj poetit, denigrimit të tij si qenie njerëzore, si qenie e lirë, e gabueshme. Gllabërimit të identitetit, fshirjes së vlerave të mbledhura me mund shekujve paraardhës, nga shenjtorët, poetët dhe udhëtarët e mëdhenj. ç’i mbetet poetit? “Harpa” e trishtuar e mendimeve të tij profetike mbi përjetësinë? ç’i mbetet veç ridimensionimit të kohës? Për të kuptuar nëse ia vlente apo jo kjo “kohë” e vetes, e të tjerëve dhe e askujt?“Dhe deti mes nesh përsëri...Pengesë dhe mundësi.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›