E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një copë Muri Berlini mbi fasadat e Tiranës

 U frymëzua nga Muri i Berlinit, ku secila fasadë tregon një realitet të ndryshëm ideologjik. Si një njeri që ka përjetuar diktaturën komuniste, madje në formën e tij më të egër, Helidon Gjergji nuk e pati të vështirë ta zhvendosë këtë realitet në Tiranë dhe më konkretisht mbi fasadat e pallateve të kryeqytetit. Bashkë me artistët Tomma Abts, Franz Ackermann, Ann Edholm, Per Enoksson, Tala Madani e Adrian Paci ai vijoi projektin e fasadave të nisur në vitin 2000, në edicionin e parë të Bienales së Tiranës. Artisti Helidon Gjergji, i cili prej vitesh zhvillon karrierën e tij në Nju Jork shpjegon për “Newcult” konceptin e tij mbi këtë vepër arti, e cila në fakt përfshin banorët e një pallati të tërë, në kryeqytet. Sa i lidhur është arti me politikën?Nuk ka një qëndrim unik mbi ndikimin e politikës në art. Shumë janë dakord me atë që arti është politikë deri në momentin kur merr distanca të deklaruara nga çështje të tilla. çdo herë që ka një fund, arti bëhet në mënyrë të ndërgjegjshëm aktiv, apo thënë me fjalë të tjera art politik aktive. Praktika ime është thuajse në të kundërt me frazën e Brehtit “arti nuk është një pasqyrë e vendosur përpara realitetit, por më së shumti një çekan që i jep formë”. Unë reflektoj mbi realitetin duke e riformuar, duke përdorur një kornizë strategjike, më shumë se një çekan. Duke bërë një gjë të tillë çon sinjale alarmi dhe jo atë final, siç bën një çekan. Duke treguar realitetin të jepet mundësia që ta riformosh në një mënyrë të thjeshtë, duke sugjeruar strategji dhe jo duke u imponuar, siç bën një çekan. Sa ka ndikuar e kaluara juaj në një vend komunist në këtë projekt?Si një njeri që ka jetuar gjysmën e jetës nën regjimin komunist, dhe pjesën tjetër nën ekonominë e tregut, kur kam nisur të punoj mbi projektin e fasadave në Tiranë, jam frymëzuar nga Muri i Berlinit, një strukturë reale e vendosur në mes të një kufiri mes dy sistemeve ideologjike - për mua një parajsë arkitekturore dhe një emblemë njëkohësisht. Parajsë sepse nuk ka një, por dy fasada dhe njëra është në brendësi të tjetrës. Kjo më duket se ka qenë mënyra më brutale për të shprehur ndikimin më të madh sistematik mbi një hapësirë institucionale, si gjatë Luftës së Ftohtë, apo sot, për atë çka përfaqëson. çdo ndërtesë ka një fasadë të jashtme që është brenda një realiteti tjetër. Prandaj me projektin e fasadave, kam kërkuar mënyra për të treguar këtë bipolaritet semiotik. Për pallatin nr 10 në Tiranë, që kam zgjedhur, vendosa që të marr brendësinë e ndërtesës dhe ta vë jashtë, që do të thotë të transformosh privaten në publike. Kam marrë ikona të botës kompjuterike e të biznesit nga interieret e ndërtesës, nga e përditshmja e banorëve të tij dhe i kam pikturuar mbi “lëkurën” prej çimentoje të ndërtesës publike, të jashtme të pallatit. Në të njëjtën kohë, kam menduar të respektoj format arkitekturore ekzistuese dhe ritmet e ndërtesës, duke nënvizuar jo vetëm modifikimet e saj në kohë, por edhe ndryshimet në vazhdim gjatë gjithë viteve të ekzistencës së saj. Si lindi projekti i fasadave?Që në edicionin e parë të Bienales në vitin 2000, projekti i fasadave pati një ndikim të jashtëzakonshëm, ndezi pasionin  popullit, inatin, apo dashurinë e politikanëve, vlerësimin, apo kritikat e komunitetit ndërkombëtar. Duke iu kthyer edhe një herë pyetjes së parë, ky shembull tregon më së miri se korniza mund të jetë më efiçente se fuqia e çekanit.Pas rënies së Murit, shqiptarët menduan se ishin më në fund të lirë të plotësonin kërkesat e tyre. Kjo do të thoshte edhe të kaloje ekstremet- nga pamundësia për të vendosur qoftë edhe një antenë në çati tek në abuzimet në ndërtesa, të papara ndonjëherë, në apartamentet e tyre në ndërtesa publike. Arkitektura depresuese staliniste u kthye në “joarkitekturën” e John Wayne. çdo optimist do të kishte menduar shkatërrimin si problemin e vetëm. Por kryebashkiaku nuk ishte i interesuar të ishte as i arsyeshëm dhe as optimist, ai bëri atë çka bëjnë të gjithë artistët, krijojnë një realitet të ri. Disa banorë mendojnë se është një ide idiote, disa të tjerë brilante, por të gjithë flasin për të dhe mendojnë. Përmes asaj që duket si imponim ngjyrash ngrihet pyetja: qyteti fillon atje ku mbarojnë shtëpitë tuaja, apo shtëpitë tuaja janë pjesë e komunitetit. Dhe të gjithë ne artistët që morëm pjesë në këtë projekt u munduam t’i përmbahemi kësaj pyetjeje, më së shumti si pikë nisjeje.Esmeralda Dodaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›