E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helikopterët shpëtojë foshnjën e lehonën të bllokuar nga bora

 nertila mahoReagimi i menjëhershëm i strukturave të Shëndetësisë ka shpëtuar dje jetën e nënës dhe të një foshnje të lindur para kohe në shtëpinë e tyre në Fushë Lurë. Një helikopter i nisur nga Tirana ka bërë transportin e tyre në një kohë rekord për në maternitetin “Koço Gllozheni” ku aktualisht po ju ofrohet një ndihmë e specializuar. Informimi mbi këtë rast dhe mbi problemet që mund të paraqiteshin për efekt të situatës ka bërë që ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtori i Drejtorisë Spitalore Petro Mersini të ndiqnin personalisht gjithçka në mënyrë që fëmijës dhe nënës t’ju ofrohej ndihma e nevojshme në kohën e duhur. Kjo ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme kur është dhënë lajmi për emergjencën dhe helikopteri me dy pilotë dhe me drejtorin Mersini në bord është nisur drejt destinacionit. Mjeku Petro Mersini është kujdesur për gjendjen e të sapolindurit dhe nënës gjatë transportit për në Tiranë. I vështirë është cilësuar udhëtimi me helikopter për shkak të motit të paqëndrueshëm e problematik. Pilotët e kanë pasur shumë të vështirë që të bëjnë uljen si rezultat i reve dhe dëborës. E gjithë historia ka filluar të shtunën kur gruaja me inicialet E.Ll me profesion mësuese në Lurë ka sjellë në jetë fëmijën e dytë në kushtet e shtëpisë me ndihmën e mjekut të zonës. Fakti se i sapolinduri paraqiste komplikacione të tipit vështirësi në frymëmarrje apo edhe të tjera për shkak të parakohshmërisë së lindjes dhe nevoja për ta mbajtur në inkubator ka bërë që mjeku i zonës të lidhej me spitalin e Peshkopisë. Por pamundësia për të çuar një ambulancë në Lurë ka bërë që mjeku i spitalit të Peshkopisë të lidhej me institucionet përkatëse në Tiranë dhe ka bërë me dije për gjendjen emergjente. Telefonata në Ministrinë e Shëndetësisë ka vënë në lëvizje menjëherë strukturat të cilat janë nisur për të bërë transportin drejt kryeqytetit të lehonës dhe fëmijës në mënyrë që t’ju ofrohej ndihma më e specializuar.  Të stabilizuar tashmë në maternitetin “Koço Gllozheni”, mjekja Anika Dokle shprehet se shpejtësia me të cilën është vepruar ka qenë shumë pozitive sepse fëmija tashmë ndodhet në inkubator dhe po ndiqet nga afër ecuria e tij shëndetësore. “Nëna nuk ka pasur komplikacione dhe aktualisht është në gjendje shumë të mirë. Po kështu edhe fëmija ka një gjendje më të stabilizuar në inkubator, është një fëmijë i seksit mashkull me peshë 1430 g, afërsisht 31 javësh” shprehet Dokle duke shtuar se lindja ka qenë një lindje spontane.  Nga ana tjetër vihemi në dijeni se nënës përveç ndihmës mjekësore i është ofruar edhe asistencë psikologjike e nevojshme kjo për gjendjen e saj, për shkak të lindjes së parakohshme të fëmijës së dytë. Piloti:”Koha e vështirësoi shumë fluturimin” Koha e rënduar dhe dëbora që binte pa pushim e kanë bërë fluturimin e djeshëm drejt Lurës, për emergjencën e një lindjeje të parakohshme shumë të vështirë. Shefi i njësisë së Helikopterëve njëkohësisht edhe pilot, Berti Xhafa tha dje për Panoramën se urdhri për t’u nisur drejt Lurës është dhënë në orën 08:15 të mëngjesit në një situatë shumë të vështirë. “ U lajmëruam për një emergjencë ku duhej ndërhyrja jonë. U informuam nga shërbimi meteorologjik se rreth orës 09:30-10:00 do të kishte një përmirësim të kushteve të motit kështu që shfrytëzuam këtë kohë për të zbatuar urdhrin” shprehet Xhafa. Sipas tij në momentin që helikopteri ka mbërritur në Fushë Lurë retë ishin ngjitur me tokën dhe binte borë çka vështirësonte edhe më shumë situatën. “E gjithë zona ishte bllokuar dhe nuk kishte mundësi lëvizjeje me mjete të tjera. Kur bëmë uljen situata ishte aq e rënduar nga bora sa mezi u bë transporti i gruas nga shtëpia tek helikopteri” shpjegon piloti Xhafa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›