E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët: Në stadium, ose do bllokojmë FSHF-në

 Ngjarjet që pasuan derbin me Dinamon kanë tronditur thellë klubin kampion, që tanimë ka edhe konflikte të brendshme, si pasojë e marrëdhënieve të ftohta mes palëve. Për më tepër, në krahun tjetër janë tifozët që paralajmërojnë masa ekstreme, nëse Federata e Futbollit nuk i lejon ata që ta shohin skuadrën nga shkallët e stadiumit. Ata kanë rënë në qetësi, por kjo është vetëm për pak kohë. Paralajmërimi i tyre për protesta masive ndaj FSHF-së është bërë që në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë dhe nën një zë, ata i kanë kërkuar Federatës që të lejojë zhvillimin e ndeshjeve me praninë e tifozëve, në të kundërt vetë ata (tifozët) do të protestojnë deri në bllokimin e hyrjes së FSHF-së. Paralajmërimi ka marrë përshkallëzim të qartë, pasi në jo pak raste tifozeria e Tiranës, e organizuar në grupime mjaft aktive dhe unikale ndër tifozeritë sportive në vendin tonë, ka akuzuar drejtpërdrejt FSHF-në se po favorizon në garë rivalët e Tiranës (konkretisht Dinamon) dhe po luan me ndjenjat e sportdashësve. Ndërkohë Tirana është në pritje të Komisionit të Apelit i cili do të marrë në shqyrtim ankimin e bërë nga ky klub për ngjarjet në derbi. Pritet që të paktën të ulet dënimi i fushës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›