Dokumenti, Ismail Qemali ndihmoi hebrenjtë në Rumani
Alma Mile“është poshtërsi dhe krim të fyesh e të persekutosh një popull të tërë, vetëm për shkak të origjinës dhe kombësisë...”. Kështu do të shprehej plaku i urtë i Vlorës rreth një shekull e gjysmë më parë, mbi persekutimin që i bëhej popullsisë hebreje në Evropën Juglindore e në veçanti në Rumani. Përpjekjet për të garantuar lirinë dhe të drejtat e njeriut, Ismail Qemali, nuk i tregoi thjesht e vetëm me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor të vitit 1912. Qemali dëshironte që të gjithë popujt të ishin të lirë e të pavarur e të mos përndiqeshin për hir të racës dhe fesë së tyre. Gjatë viteve 1870-1873, kur ishte Guvernator i Provincës së Danubit të Poshtëm dhe njëkohësisht President i Komisionit Evropian të Danubit, Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919) do mbështeste dhe ndihmonte çifutët e vendosur në Rumani. Kjo përpjekje e shqiptarit të shquar dëshmohet përmes faqeve të një libri të botuar në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Sipas një prej pasardhësve të Ismail Qemalit, Darling Ismail Vlora, në vitin 1943, shkrimtari i njohur hebre Joseph L.Baron (1894-1960), do përfshinte në antologjinë prestigjioze “Stars and Sand” (“Yje dhe rërë”)(“Jewish notes by non-jevish notables” “Shënime hebreje nga jo hebrenj të njohur”) mendimet dhe përpjekjet e Ismail Qemalit, për të ndihmuar çifutët e persekutuar të Rumanisë. Ai ka qenë ndër të paktët njerëz që ngritën zërin për padrejtësinë që po i bëhej kësaj popullsie. Ai e quante këtë të turpshme dhe nuk ngurronte të akuzonte drejtpërdrejtë pushtetarët për këtë gjë. Sipas Vlorës, në këtë antologji janë përfshirë mendime të njerëzve të shquar, shkrimtarë, filozofë, politikanë, burra shteti, etj. Mes të cilëve mund të veçojmë shkrimtarët e mëdhenj Victor Hugo, Honore de Balzac, apo burrat e shtetit, Otto Bismarck, Charles De Gaulle, Georges Clémenceau, Mohamandas Gandhi, William E.Gladstone, Ulysses Grant, Thomas Jefferson, Kemal Ataturk, Martin Luther, Woodrow Wilson, George Washington, e dhjetëra, dhjetëra të tjerë. Në këtë libër ai i kushton një rëndësi të veçantë Ismail Qemalit, duke e vlerësuar së tepërmi përpjekjen e tij në këtë kauzë humane. Dhe këtë e tregon jo vetëm duke e përfshirë në këtë libër mes shumë burrash të shquar, por edhe duke e quajtur “Ismail Kemal Bey, Albanian patriot...”. Ekzistencën e këtij libri, si dhe qëndrimin e themeluesit të shtetit shqiptar, stërnipi, Darling Ismail Vlora e sjell në një kohë, kur në të gjithë botën kujtohen viktimat e Holokaustit. Vetëm pak ditë më parë në gjithë botën u përkujtua Shoahu, apo Dita e Kujtesës. Ky dokument vjen si një dëshmi, jo vetëm për formimin dhe filozofinë humane që udhëhiqte jetën dhe veprimtarinë e Ismail Qemalit, por është edhe një dëshmi mbi persekutimin e popullsisë hebreje në Evropë, çka nuk lidhet vetëm me luftërat botërore, por ka nisur shumë herët. Në atë pjesë kujtimesh të Ismail Qemalit, të përfshirë në librin e Joseph L.Baron, ai tregon për gjendjen e popullsisë me origjinë hebreje në Rumani gjatë kohës, kur ai ishte Guvernator i Provincës së Danubit të Poshtëm. Ishin vitet 1870-1873 dhe hebrenjtë nuk gëzonin të njëjtat të drejta si popullsia vendase. Për ata vepronin ligje dhe sanksione të tjera. Përpara kësaj situate, Qemali thotë se Vala e persekutimit në perëndim kishte nisur shumë më herët. Ishte viti 1492, kur dy monarkë evropianë, mbreti i Aragonës, Ferdinandi dhe Izabela e Kastiljes firmosën dekretin për dëbimin e hebrenjve nga Evropa. Një valë persekutimi, e cila do të zgjaste me shekuj.Pjesa e zgjedhur nga baron, në librin e tij është shkëputur nga libri me kujtime i Ismail Qemalit, “The Memoirs of Ismail Kemal Bey», botim i “Sommerville Story”, New York, 1920. Në këtë pjesë të përzgjedhur, ku ai flet për hebrenjtë, ndër të tjera shkruan:«... Hebrenjtë në Rumani ishin të dënuar me të njëjtin fat si ata në Rusi. Ata nuk kishin të drejtë të ishin pronarë apo të kultivonin tokën, apo të vendoseshin në komunat rurale, dhe nuk ishin lejuar të ushtronin profesione që ata do të kishin zgjedhur; por të detyruar të jetojnë në mjerim, ata ishin objekt i një persekutimi të keq. Që nga viti 1866 këto persekutime janë aq të shpeshta dhe aq mizore, saqë ndërgjegjja e botës së civilizuar më në fund është zgjuar. Ne, që ishim dëshmitarët më të afërt të këtyre persekutimeve, nuk mund të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave të pafata, por është detyra jonë e përbashkët për t’i ndihmuar ata. është poshtërsi dhe krim të fyesh e të persekutosh një popull të tërë, vetëm për shkak të origjinës dhe kombësisë. Arsye të shumta nxjerrin qeveritë ruse dhe rumune për të justifikuar politikën e ndjekur dhe për të larguar përgjegjësinë e tyre. Hebrenjtë në Rumani, apo Rusi janë denigruar, jo për shkak të racës së tyre, as gjakut të tyre, apo besimit të tyre, por për shkak të ligjeve të vendit ku ai jeton. Ky është një kufizim mbi veprimet e tij, që e detyrojnë të jetojë, ashtu siç jeton. Ambienti i tij formon jetën e tij dhe krijon prej tij nivelin shoqëror dhe moral të tij. Po të krahasosh një hebre që jeton në këto vende, ku ata persekutohen, me ata që jetojnë në Britaninë e Madhe, Amerikë, dhe Francë, madje edhe në Turqi, do të provoni këto që unë ju them. Vetëm përballë qytetit të Brailas, në krahun e djathtë të Danubit, ku krahu i Machin bashkohet me lumin, është një krahine e njohur si POT-Bachi, e cila u zgjodh si vendi i një qyteti të ri, që do të vihet në dispozicion të hebrenjve të përndjekur të Rumanisë. Plani i qytetit u hartua, marrëveshjet janë bërë me familjet izraelite që ishin për tu vendosur atje, dhe gjithçka i nënshtrohet sanksioneve perandorake”.Ismail Qemali, më në fund historia e plotë Gjatë viteve të diktaturës komuniste, shumë pak u tha për Ismail Qemalin. Gjithçka vërtitej rreth shpalljes së pavarësisë, por në të vërtetë jeta dhe veprimtaria e tij ishin shumë më të gjera e shumë planesh. Vetëm pak kohë më parë, në prag të 166- vjetorit të lindjes dhe 91- vjetorit të vdekjes të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, Shtëpia Botuese “Toena” hodhi në qarkullim vëllimin me “Kujtime” të tij, përkthyer nga anglishtja prej Abdurrahim Myftiut. Me këtë rast u zhvillua edhe një konferencë, ku historianë të njohur si Arben Puto, apo Paskal Milo, u shprehën se më në fund figura e Ismail Qemalit po vjen e plotë për lexuesin shqiptar. “Kujtime” e Ismail Qemalit u botua në Londër më 1920, një vit pas vdekjes së tij. Libri është i sistemuar në dy pjesë. E para, e ndarë në 19 kapituj, përfshin periudhën nga viti 1840, deri në 1910. Pasi e nis me familjen dhe fëmijërinë e tij dhe shkollimin, Qemali rrëfen karrierën e tij në administratën Osmane, hyrjen në politikë dhe situatën që po përjetonte rajoni i Ballkanit. Kjo pjesë është e mbushur me informacion dhe ngjarje, që kanë mbushur jetën e burrit të shtetit, që nga postet ku ka shërbyer, udhëtimet, vizitat, përplasjet, konferencat, etj. Ndërsa pjesa e dytë i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Ismail Qemali, nuk i çoi deri në fund kujtimet e tij. I la përgjysmë dhe për përgatitjen e tij është kujdesur “William Morton Fullerton, i cili ka shoqëruar librin edhe me një Hyrje, në vend të parathënies, ku shpjegon si u mblodhën këto kujtime. Duke qenë mik i Qemalit, ai tregon edhe për personalitetin e një prej figurave më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.