E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizë shkodrane, edhe Laçi e mund Vllazninë

 Leonard KarajVllaznia humbet sërish, këtë herë ndaj Laçit ndërsa Besa nuk e ka të vështirë të mundë Apoloninë në “Loni Papuçiu” duke mbajtur ritmin e Dinamos.E diela e dy ndeshjeve të fundit të javës së 19-të ka dhuruar surpriza në futbollin e Superligës. Sepse kanë fituar dy skuadrat udhëtuese, Besa në Fier dhe Laçi në Shkodër. Duke shokuar Vllazninë, që nuk po shikon dritë në fund të tunelit, ku e ka parë veten gjatë tërë këtij sezoni, dhe Apoloninë, që nën drejtimin e Hasan Likës e ka humbur orientimin. Në këtë mënyrë, Besa nuk i ndahet Dinamos kryesuese, në pritje të riluajtjes së ndeshjes me Flamurtarin, më 3 shkurt. Po kështu, Laçi ruan pozitat e tij në renditje, në mesin e artë të klasifikimit, duke bërë surprizën më të madhe të kësaj jave në “Loro Boriçi”. Në këtë mënyrë, ish-skuadra e tij, Laçi, i ka bërë gjëmën Edi Martinit, që në dy ndeshje në krye të Vllaznisë, ka pësuar dy humbje, me të njëjtin rezultat, 2-1, në Peqin dhe në Shkodër. Në Fier ka shënuar golin e parë verdhezi Vioresin Sinani, tashmë në radhët e Besës, sikurse ka dhënë një asist për Daniel Xhafën, që ka vulosur fitoren 2-0 të kavajasve në “Loni Papuçiu”. Në përfundim të dy takimeve drejtuesit vendas, si në Fier dhe në Shkodër kanë akuzuar arbitrat për gjykimin e dobët të këtyre ndeshjeve. Më të forta kanë qenë akuzat e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj ndaj gjyqtarit, Artan Taullaraj. Javën tjetër Vllaznia do të jetë në Tiranë, ndaj bardhebluve të Alban Tafajt dhe Nevil Dedes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›