E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deti i trazuar rrezikon 86 pasagjerë

Moti i keq dhe deti i trazuar ka vënë në rrezik ankorimin e trageteve në Portin e Vlorës. Kështu, mbrëmjen e së enjtes, trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka tentuar të hedhë spirancën disa herë, duke krijuar panik te 86 pasagjerët që kishin lundruar nga Italia për në Shqipëri. Pasi ka bërë disa tentativa për t‘u ankoruar dhe për të shkarkuar pasagjerët dhe automjetet, ky traget është përplasur dhe me kalatën e portit.

Me ndihmën e rimorkiatorit, trageti "Azzura Line" ka mundur të futet në mol, të ankorohet me vështirësi si dhe për pak minuta të shkarkojë 86 pasagjerët dhe mjetet. Më pas trageti ka dalë sërish në radë, pasi qëndrimi i tij në mol paraqiste rrezikshmëri për t‘u përplasur me kalatat e portit. Sipas shefit të Kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, moti i keq ka bërë që Kapitaneria të ndërmarrë masa për të përballuar situatën. "Parashikohet që moti i keq të vijojë dhe për dy ditë të tjera. Ne si Kapitaneri kemi marrë të gjitha masat që të mos dalë asnjë mjet lundrues në det për këto ditë, si dhe të gjitha peshkatoret të strehohen në molin e Triportit", ka thënë për "Shqip" Goga. Për sa i përket tragetit të linjës Vlorë-Brindisi, ai ka sqaruar se nga koha e keqe ka bërë tre manovra për t‘u ankoruar dhe i është dashur dhe një përplasje me kalatën që të vazhdonte zbarkimin e pasagjerëve. "Kjo ishte një zgjidhje e shpejtë, që pasagjerët të mos rrinin në traget me orë të tëra në detin e trazuar.

Ishin 86 pasagjerë, të cilët u zbarkuan për disa minuta dhe pastaj trageti të dilte sërish në radë", ka vijuar më tej kreu i Kapitanerisë së Vlorës. Po ashtu, burime nga policia kufitare bëjnë me dije për "Shqip" se e gjithë vija bregdetare nga Palasa deri në Borsh, është përfshirë nga deti i trazuar dhe era e fuqishme me drejtim juglindje, e cila ka bërë që dallgët të përplasen në zonat e banuara, pasi lartësia e tyre i arrin mbi 3 metra. Sipas shefit të policisë kufitare të zonës së bregut, Xhafer Cerova, janë marrë të gjitha masat që asnjë mjet të mos dalë në det, si dhe shumë barka të vogla të largohen nga bregu. "Kemi larguar të gjitha anijet e vogla që janë të lidhura, pasi dallgët e mëdha mund t‘i shkulin dhe t‘i marrin në brendësi të detit. Fuqia e detit në territorin e Vlorës është 5-6 ballë në gji dhe në det të hapur është 8-9 ballë. Kurse në zonën e bregut Palasë-Himarë, fuqia e detit është më e madhe, sepse era ka drejtim juglindje", ka saktësuar Cerova.

Prej ditës së djeshme, i gjithë territori i Qarkut të Vlorës është përfshirë nga moti i keq, me reshje shiu dhe erëra të fuqishme. Të gjitha mjetet detare, si anije mallrash dhe peshkatore, kanë dalë në radë, pasi qëndrimi i tyre në mol sjell rrezikshmëri dhe përplasje me kalatat. Era në orët e para të mëngjesit arrinte shpejtësinë 20-25 m/s, ndërkohë që parashikohet se moti i keq do vazhdojë dhe në dy ditët e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›