E Diel, 1 Nëntor 2026

Deti nxjerr trupin e peshkatarit të mbytur 12-vjeçar

06/03/2005  Asnjë kërkim dhe sinjal për babanë

DURRËS - Dallgët e detit kanë nxjerrë në breg 12-vjeçarin e mbytur në fund të muajit të kaluar. Flogert Vathi është gjendur dje, rreth orës 12.15, fare pranë vendit ku ai së bashku me të atin janë mbytur një javë më parë.

Trupi i 12-vjeçrit në breg të detit është parë nga banorë të fshatit Shën Pjetër, ku edhe banon familja e peshkatarit Vathi. Ata së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes dhe të afërm të viktimave kanë kërkuar përgjatë bregut, duke patrulluar rërën edhe natën, deri sa dje kanë arritur të gjenin njërin prej dy të mbyturve.

Sipas peshkatarëve e banorëve të fshatit Shën Pjetër, mësohet se trupi i njërit prej peshkatarëve, dhe pikërisht i 12-vjeçarit Flogert Vathi, është nxjerrë nga dallgët e detit, të cilat dje kanë regjistruar 7-8 ballë dhe era ka qenë shumë e fortë.

Pjetër Vathi, 37 vjeç, i cili mbante familjen me të ardhurat që nxirrte gjatë peshkimit si amator, është mbytur së bashku me të birin, Flogertin, në derdhje të lumit Ishëm, më 27 shkurt.

Megjithë kohën e keqe të së dielës së 27 shkurtit me ndihmën e një skafi plastik janë futur 1.2 milje në det për të nxjerrë nga andej rrjetën e hedhur një natë më parë. Por në kohën që ata mblidhnin rrjetën skafi i tyre me motor 20 KF është përmbysur për shkak të dallgëve. Babë e bir janë munduar për disa kohë për t’i shpëtuar vdekjes, por gjithçka ka qenë e pamundur.

Edhe bashkëfshatarët e fshatit Shën Pjetër, të cilët kanë qenë në atë kohë në breg, nuk kanë mundur të japin ndihmë, për shkak të dallgëve të mëdha. Pas mbytjes së tyre, për dy ditë një helikopter dhe një mjet lundrues kanë patrulluar zonën dhe i kanë ndërprerë kërkimet pa mundur të gjenin trupat e mbytur. Edhe motovedeta R-117, e Komandës së Forcave Detare, me dy zhytës nuk ka mundur të nxjerrë nga deti asnjërin nga peshkatarët.

Distrikti Detar kishte deklaruar se kërkimet do të vazhdonin deri sa trupat t’u dërgoheshin familjarëve, por ata kanë ndërprerë operacionin pas disa orë kërkimesh. Sipas burimeve zyrtare mësohet se shkak i tërheqjes ka qenë përkeqësimi i motit, ndërkohë që dje trupi i Flogert Vathit është nxjerrë nga dallgët dhe në të njëjtin drejtim, ku babë e bir ishin mbytur të dielën e 27 shkurtit.

Sipas policisë së Durrësit, trupi i nxjerrë nga dallgët i përket 12-vjeçarit Vathi, ndërkohë që nuk është deklaruar nëse do të rinisin kërkimet për të gjetur edhe babanë e tij, Pjetër Vathin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›