E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagos me kaçavidë bashkëfshatarin, ndalohet

06/03/2005  BERAT – Forcat e policisë së komisariatit të Beratit kanë prangosur pasditen e ditës së djeshme një 21-vjeçar, i cili akuzohet se ka plagosur me mjet të fortë, tip kaçavidë, një bashkëfshatarin e tij, pas një grindjeje midis tyre. Burime të komisariatit të këtij qyteti bëjnë të ditur se rreth orës 15 të ditës së djeshme u bë ndalimi i shtetasit Pëllumb Krasniqi, lindur dhe banues në fshatin Syzezë, të rrethit të Beratit. 21-vjeçari, akuzohet, sipas burimeve të policisë, se ka plagosur me një kaçavidë shtetasin Shkëlzen Toska, banor i këtij fshati. Të dy këta shtetas mësohet se janë grindur me njëri-tjetrin për motive të dobëta, në qendër të fshatit, ndërsa 21-vjeçari ka nxjerr një mjet të fortë, kaçavidë, që mbante me vete dhe e ka plagosur atë në bark. Ndërsa, i plagosuri ka mbërritur në spitalin e Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka nisur hetimet më pas dhe ka arritur që të bëjë identifikimin e tij, duke e ndaluar më pas në banesë.

Ngjarja, për të cilën 21-vjeçari u ndalua dhe viktima u shtrua në repartin e urgjencës në spitalin rajonal të Beratit, ka ndodhur dy ditë më parë në qendër të fshatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›