Përdorte lekë falso,ndalohet 20-vjeçari
06/03/2005 BERAT - Një 20-vjeçar ka rënë në pranga të policisë mesditën e djeshme, pasi është pikasur se qarkullonte kartëmonedha të falsifikuara, të cilat i janë bllokuar në cilësinë e provës materiale. Burime zyrtare të komisariatit të qytetit të Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 16:00 të ditës së djeshme është bërë ndalimi në flagrancë i shtetasit Dionis Bufi, 20 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Jani Vruho“ të këtij qyteti. Ndalimi i 20- vjeçarit është bërë në qytetin e Kuçovës, pranë axhencisë së këtij qyteti, në tregun e lirë industrialë, ku ky i fundit kërkonte të thyente një kartëmonedhë me prerje njëmijëlekëshe, e cila është pikasur nga tregtari si e falsifikuar. Debati i nisur mes 20-vjeçarit dhe tregtarëve është vënë re nga punonjësit e policisë, të cilët, pasi kanë qetësuar gjendjen, kanë shoqëruar për në komisariat shtetasin Bufi. Gjatë një kontrolli që ekspertët e policisë bënë në banesën e tij, gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale dhe katër kartëmonedha me prerje njëmijëlekëshe, të reja falso. Ekspertët e krimit ekonomik bllokuan rreth 200 mijë lekë të vjetra falso të gjetura dhe po punohet për zbardhjen e kësaj çështjeje.