Deti nxorri në breg trupat e peshkatarëve, të afërmit u dhanë dje lamtumirën
DIVJAKË - Janë gjetur në breg trupat e pajetë të dy peshkatarëve, të cilët u mbytën dje në ujërat e Detit Adriatik, në Plazhin e Divjakës. Forcat kufitare të Divjakës dhe të Kavajës kanë gjetur trupat dje në mëngjes, rreth orës 07:15. Trupi i pajetë i Vangjel Trungut, 53 vjeç, është gjetur pranë vendit ku ishte mbytur, ndërsa trupi i pajetë i Stavri Prendit është gjetur në Plazhin e Spillesë, Kavajë. Dy peshkatarët nga Divjaka rezultuan të mbytur mëngjesin e djeshëm pas daljes së tyre me varkë për të mbledhur rrjetat e peshkimit, të cilat i kishin lëshuar gjatë natës. Vangjel Trungu 53 vjeç dhe Stavri Prendi 48 vjeç kishin dalë me varkën e tyre në orën 7 të mëngjesit të së enjtes, ndërkohë rrymat e forta detare të shoqëruara nga stuhia kishin përmbysur varkën rreth 300 m nga bregu. Peshkatarë të tjerë të Divjakës ndërsa kanë parë këtë skenë kanë vrapuar t’i shpëtojnë, por rrymat e forta dhe deti mbi 7 ballë ka rrezikuar edhe anijen tjetër të peshkimit duke i detyruar shokët e tyre të kthehen mbrapsht, pa mundur t’i shpëtojnë.
Aksident me pasojë vdekjen, viktima ende i paidentifikuar
Vlorë - Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin rrugor të Transballkanikes në Vlorë. Shkaku i aksidentit të rëndë ka qenë shpejtësia e mjetit si dhe kalimi i gabuar i kalimtarit. Një i moshuar është goditur nga mjeti tip SKANJE, me targa FR 1248 C, pronë e firmës ndërtuese ALB STAR, i cili i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima mashkull, rreth 70 vjeç, ende është i paidentifikuar. Ndërsa drejtuesi i mjetit Jetnor Pashai, 41 vjeç, nga Patosi, është ndalur menjëherë nga policia. Drejtuesi i mjetit, i cili ishte duke udhëtuar në drejtim të Portit të Vlorës, sapo ka parë që i ka prerë rrugën kalimtari ka frenuar ashpër duke bërë që mjeti për rreth 60 metra të ikë zvarrë me qëllim për të shmangur shtypjen e kalimtarit, por nuk ka mundur të shmangë përplasjen e kalimtarit, edhe si pasojë e terrenit të lagur. Si rezultat, e ka përplasur 70-vjeçarin duke e hedhur disa metra larg nga vendi i përplasjes.
E godet me thikë pas shpine, arrestohet 30-vjeçarja
Korçë – Forcat e policisë kanë kryer arrestimin në flagrancë të 30-vjeçares Majlinda Denasi, lindur në Çorovodë dhe banuese në fshatin Goskovë të Korçës, pasi ka shkuar te lokali i Vasil Goskovës dhe në grindje e sipër e ka goditur këtë të fundit me një thikë në shpinë. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, të parashikuar nga Neni 76 e 22 i Kodit Penal. I dëmtuari tani ndodhet në Spitalin e qytetit të Korçës, jashtë rrezikut për jetën.
Policia arreston autorin e tri vjedhjeve në Krujë
Krujë – Vidhte kasetofonë makinash, por në të njëjtën kohë rezultonte edhe autor i vjedhjes së 38.000 lekëve dhe një sasie të konsiderueshme kafeje në një lokal. Për këto arsye, 16-vjeçari S.B. është kapur nga forcat e policisë së Krujës, të cilat bëjnë të ditur se kjo ndodhi në momentin kur ai ishte duke vjedhur një kasetofon në një pikë shitjeje gazetash, në qendër të qytetit të Krujës. Pas arrestimit të tij dhe fiksimit të gjurmëve të lëna nga autori, ekspertët e krimeve dokumentuan dhe dy ngjarje të tjera të ndodhura muajin e fundit në qytetin e Krujës, të cilat lidhen me këtë person. S.B. rezulton të jetë edhe autor i vjedhjes së 38.000 mijë lekëve të reja, si dhe të një sasie të konsiderueshme kafeje e pije freskuese në një lokal. Ndërsa pak kohë më parë ai ka vjedhur edhe dyqanin e Qamil P. në Krujë, ku ka marrë disa artikuj enë kuzhine dhe një shumë prej 30.000 mijë lekësh të reja.
Kombinat, 23-vjeçari kapet me 27 doza heroine
Tiranë – Forcat e policisë kanë mundësuar kapjen në flagrancë të 23-vjeçarit Fatjon Tafmizi, banues në Kombinat, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar atij iu gjetën 5.4 gr lëndë narkotike me gjithë ambalazh, e ndarë në 27 porcione, të mbushura me pluhur me aromë si të lëndëve narkotike e llojit heroinë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal.
7 Mars 2009