E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezolutat e BE-së: Fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën amëtare

Parlamenti Europian përgatit dy rezoluta për arsimimin e fëmijëve . Votimi i tyre do të bëhet më 2 prill. Propozimet e shtruara në raporte

Albert Gjoka

Dy rezoluta pritet të votohen në fillim të muajit prill nga Parlamenti Europian në të cilat kërkohet që vendet anëtare të BE-së të garantojnë mësimin e gjuhës amëtare dhe të vendit pritës për fëmijët e emigrantëve. Eurodeputetët Hanu Takkula dhe Pal Shmit kanë shtruar propozimet e tyre, të cilat janë diskutuar dhe kanë kaluar në votim në Komisionin e Kulturës dhe më 2 prill të këtij viti do të miratohen. Rezolutat synojnë që të garantojnë mbështetje financiare për trajnimin e mësuesve dhe fonde shtesë për integrimin e fëmijëve të emigrantëve në shkollat europiane. Deputetët kërkuan fonde shtesë edhe për kurset e gjuhës amëtare për fëmijët dhe për prindërit e tyre, në mënyrë që të njohin dhe komunikojnë në gjuhën e vendit ku jetojnë dhe punojnë.
Dy gjuhët
“Shtetet anëtare të BE-së duhet të nxisin promovimin e gjuhës dhe kulturës amëtare të fëmijëve të emigrantëve në edukimin arsimor”, - thotë raporti i përgatitur nga Hannu Takkula që titullohet “Arsimimi i fëmijëve të emigrantëve”. Parlamenti Europian thotë se kjo mund të lehtësojë integrimin e fëmijëve në mjediset e reja.
Duke iu referuar mësimit të dygjuhëve në raportin e z. Takkula ngrihen polemika, ndonëse disa vende anëtare kanë frikë se kjo mund të bëhet e mundur vetëm për njërën nga gjuhët, atë të vendit ku ato ndodhen. Në një tjetër raport është rënë dakord që stafet drejtuese të shkollave duhet të reflektojnë sa më shumë të jetë e mundur rritjen e diversitetit të shoqërive europiane. Raporti është përgatitur nga Pal Shmit dhe titullohet: “Shkollat më të mira - një agjendë për bashkëpunim europian”. Ai thotë se vendet anëtare të BE-së duhet të ndërmarrin hapa për të garantuar që fëmijët e emigrantëve legalë të mësojnë gjuhën e vendit të tyre. Edhe vetë prindërit e emigrantëve duhet të marrin kurse gjuhe. Kurset e gjuhës së vendit pritës duhet t’u ofrohen prindërve nga shkollat dhe veçanërisht nënave të fëmijëve të emigrantëve Në fund, raporti i z. Takkulas propozon financime shtesë dhe mbështetje administrative për shkollat që të bëjnë këto kurse. Një tjetër debat në raportet e paraqitura nga dy eurodeputetët është se çfarë peshe do të zërë besimi në programet edukuese të fëmijëve.
Raporti i z. Shmit konstaton se edukimi dhe trajnimi duhet të luajnë një rol kyç në kapërcimin e situatave tani në kohën e krizës dhe të ofrojnë njohuri të qëndrueshme ekonomike për fëmijët. Aty të jepen informacione që lidhen ngushtë me industrinë, biznesin dhe tregun e punës. Raporti i z. Takkula u miratua unanimisht. Parlamenti do të votojë dy raportet gjatë seancës së saj të datës 2 prill që do të mbahet në Bruksel.
Rasti në Itali
Një urdhër i Ministrisë Italiane të Punës dhe asaj të Arsimit Publik do t’i hapë rrugë krijimit të shkollave publike edhe për fëmijët e familjeve të emigrantëve. Sipas direktivave të BE-së, familjeve të emigrantëve dhe më konkretisht fëmijëve të tyre u njihet e drejta që të shkollohen dhe të mësojnë gjuhën dhe kulturën amëtare (të vendeve të origjinës). Italia është shteti i parë që e ka pranuar këtë rregull, duke iu bindur kështu e para kërkesave të BE-së përsa u përket emigrantëve dhe trajtimit të tyre. Për pasojë, që në shtator të këtij viti do të nisin aplikimet në të gjitha ambasadat italiane me të cilat ky shtet ka marrëdhënie dhe që kanë në Itali grupe emigrantësh të rregullt. Aplikimet, përveç emigrantëve sezonalë (për punëra të ndryshme ku nuk kërkohet krah i kualifikuar pune), do të përfshijnë edhe mësues të gjuhës dhe kulturës së vendit të origjinës. Këta mësues, që do të vijnë nga vendet emigrantët e të cilëve kanë krijuar komunitetet e tyre tashmë në Itali, do të punësohen në shkollat publike që do të jenë posaçërisht për fëmijët e emigrantëve. Kushti paraprak i vendosur nga shteti italian për këtë kategori emigrantësh të kualifikuar do të jetë që ata të njohin mirë edhe gjuhën italiane (të dinë ta shkruajnë dhe ta lexojnë me gramatikë). Një lajm i tillë mësohet edhe nga Ambasada Italiane në Tiranë, edhe pse ai nuk është konfirmuar ende në rrugë zyrtare. “Në grupin e emigrantëve mësues do të përfshihen dhe mund të punësohen edhe emigrantë që jetojnë dhe punojnë aktualisht në Itali dhe që në vendet e origjinës kanë ushtruar ligjërisht profesionin e mësuesit profesionist të gjuhës dhe kulturës së vendit përkatës”, - thuhet në një udhëzim dalë prej Ministrisë Italiane të Punës.
Deri tani, një ndër problemet e ngritura nga komuniteti i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, por edhe nga grupe të ndryshme brenda vendit, ka qenë arsimimi i fëmijëve të emigrantëve. Disa projekte që kanë nisur kanë dështuar ndërsa vazhdon të mbetet problem edukimi i qindra e mijëra fëmijëve shqiptarë që nuk dinë të flasin gjuhën amëtare.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›