Detyrat, kush i kryen disa syresh në të njëjtën kohë
Në xhunglën e përditshme të punëve, detyrimeve e impenjimeve në të cilën jetojmë, shpesh na duhet që të merremi me dy gjëra të ndryshme në të njëjtën kohë, për shembull të ngasim makinën dhe ndërkohë të flasim në celular, edhe pse bëhet fjalë për diçka të paligjshme në këtë rast. Por sigurisht që shembujt janë të shumtë dhe bëhet fjalë për detyra që kemi në punë, por edhe për impenjime shtëpiake e më keq akoma, si në rastin e mësipërm kur jemi duke udhëtuar. Por, pavarësisht ndalimit për të folur në celular gjatë ngarjes së makinës, shumëkush e ka të pamundur që të mos i përgjigjet një telefonate, ndërkohë që i duhet të shohë rrugën dhe policin që nëse do ta pikaste do ta gjobiste rëndë. Sigurisht, në këtë rast të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ajo që po bëjnë mund t’u kushtojë jetën dhe dëmtimin e të tjerëve. Kur vendosim për të bërë një gjë të tillë kjo vjen, sepse ne mendojmë se jemi të aftë që të bëjmë dy ose tri veprime në të njëjtën kohë, edhe kur këto veprime zgjasin paralelisht në kohë. Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Utah, ka njerëz që janë të mirë për të kryer paralelisht disa detyra njëherësh dhe pa pasur pasoja, edhe pse nuk bëhet fjalë për një shumicë njerëzish, madje për të qenë të saktë kjo veti “gëzohet” nga 2.5% e njerëzve. Vetëm ata janë në gjendje që të kryejnë disa detyra njëherazi me përpikmëri. Për shembull, disa janë të aftë që të mësojnë dy ose tri lëndë në të njëjtën kohë. Duke zgjidhur problemet e matematikës, mund të mësojnë përmendësh një vjershë dhe njëherazi mund të memorizojnë edhe mësimin e historisë. Dhe ajo çka është më interesante disa prej këtyre personave janë më të aftë që të performojnë me efektshmëri të lartë vetëm kur vihen nën presionin e kryerjes së shumë detyrave. Autorët e studimit sugjerojnë se pas kësaj aftësie të kryerjes së shumë detyrave paralelisht qëndrojnë shumë faktorë të natyrës biologjike, gjenetike dhe ndoshta edhe të sjelljes, por ka edhe nga ata që thonë se një gjë e tillë mund të ushtrohet dhe mund të kryhet me sukses edhe nga një grup më i madh njerëzish. Dy psikologë të Universitetit të Utah bënë bashkë një grup studentësh ende të padiplomuar dhe u kërkuan që të kryenin një test të dhënies së makinës dhe një test që kishte të bënte me memorien dhe me aftësinë për të bërë ushtrime matematike. Fillimisht ata i kryen të dyja veprimet veç e veç e më pas në të njëjtën kohë. Pjesa më e madhe e studentëve shfaqi çrregullime kur bëhej fjalë që të bënte dy veprime menjëherë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël prej tyre u ndie komode duke performuar dy detyra të vështira njëherazi që kërkoni përqendrim, vetëkontroll të madh dhe aftësi të dyfishta. Sipas studiuesve, në rastet e detyrave paralele kemi një sforcim shumë të madh të të gjithë sistemeve cerebrale dhe motorike të trupit dhe jo të gjithë janë në gjendje që t’i vënë në punë me eficencë ato. Kjo kërkon një sforcim që për shumë persona është shumë më e vështirë nga detyrat që mund të përballohen normalisht e si pasojë, personat që nuk e përballojnë dot një gjendje të tillë janë të shumtë. Ata ose nuk i hyjnë fare një pune të tillë, ose i hyjnë dhe gabojnë. Por mes studentëve që kryen eksperimentin ndodheshin edhe ata, sigurisht në pakicë, që mundën t’i kryenin të dyja detyrat njëherazi dhe pa gabime. Bëhet fjalë vetëm për 2.5% të studentëve. Ata nuk shfaqën asnjë ulje në performancën e të dy veprimeve, pavarësisht se po i kryenin në të njëjtën orë. Madje në pak raste u vu re një perfeksionim i të dyja detyrave, çka tregon se për disa individë të paktë pikërisht një situatë e tillë presioni dhe dyzimi është pozitive për arritjen e efektshmërisë së lartë në kryerjen e veprimeve. Këta individë, sipas psikologëve, quhen “shumëdetyrësh”. Truri i tyre duket se funksionon në mënyrë të ndryshme nga ai i pjesës tjetër të njerëzve. Ata mund të kryejnë njëherazi dy apo më shumë detyra të natyrave të ndryshme pa përjetuar një ulje të vëmendjes apo efektshmërisë dhe cilësisë së veprimeve. Ajo në fakt është një gjendje trunore jashtë së zakonshmes, që nuk respekton rregullat bazë të trurit, por ja që ekziston te pak persona. Sipas ekspertëve që merren me studimin e kësaj dukurie te këta pak individë, truri i njeriut ka një “buxhet” të caktuar energjish. Duke u nisur nga ky numër i kufizuar energjish, truri mund të ofroje energji vetëm për kryerjen e një veprimi të vetëm në një kohë të caktuar, nëse bëhet fjalë për shumë detyra në të njëjtën kohë, atëherë secila nga detyrat që kryhet paralelisht me tjetrën përfiton një sasi shumë më të vogël energjie dhe kjo çon në performancën e dobët të detyrave, dhe për pasojë në efikasitet të ulët. Kjo na ndodh për shembull kur i japim makinës dhe flasim në celular në të njëjtën kohë. Celulari merr një pjesë të energjisë që i është rezervuar nga truri drejtimit të makinës dhe si pasojë aftësia për t’i dhënë makinës mirë bie ndjeshëm duke shtuar rrezikun e aksidenteve. Tashmë, psikologët janë të përqendruar më shumë te mënyra e funksionimit të trurit të jashtëzakonshëm të këtyre pak personave që kryejnë shumë mirë disa detyra paralelisht. Në këtë rast, ata jo vetëm që janë “shumëdetyrësh”, të talentuar, por i kryejnë detyrat shumë më mirë kur i bëjnë paralelisht, sesa kur i bëjnë veç e veç. Sipas rezultateve të para të kërkimeve të tyre bëhet fjalë për diferenca gjenetike të trurit. Vetëm ato mund të japin një shpjegim për këtë lojë aktiviteti. Ata kanë mekanizma të kryerjes së detyrave krejt të ndryshëm nga ata të njerëzve të zakonshëm. Truri i tyre bën një ndarje shumë racionale të energjisë sipas rëndësisë së detyrës, duke siguruar kështu energji të mjaftueshme për secilën prej detyrave. Ndërkohë, disa psikologë janë të mendimit që një situatë e tillë e kryerjes së mirë të shumë detyrave mund të arrihet edhe nga persona të tjerë përmes ushtrimit të vazhdueshëm.
#