E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën

04/12/2009  Kreu i qeverisë njofton ngritjen e Këshillit Ligjor për Luftën Kundër Mafies

Kryeministri Sali Berisha ka njoftuar gjatë mbledhjes së qeverisë ngritjen e Këshillin Ligjor për Luftën Kundër Mafies në vend. Kreu i qeverisë theksoi se beteja me zero tolerancë ndaj mafies është çështja më kryesore dhe më e mirëpritur nga shqiptarët. Duke folur para trupës ministrore, Berisha nënvizoi se në këtë luftë dhe në këtë përpjekje në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do të ketë qëndrim rigoroz ligjor. Ai rekomandoi që secila agjenci shtetërore duhet të shqyrtojë bazën ligjore që ka në luftën kundër mafies dhe, në rast se ka nevojë, të ndërmarrë hapat për përmirësimin e saj. Berisha tha se Departamenti i Luftës Kundër Korrupsionit do të jetë departamenti kundër mafies. “Një këshill ligjor për të ndihmuar kryeministrin dhe ekzekutivin në këtë luftë me ekspertët më të mirë ligjorë të vendit është i domosdoshëm të funksionojë. Është koha e ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit”, - deklaroi ai. Shefi i ekzekutivit tha se lufta kundër mafies është emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit në këtë luftë. “Në rast se në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në qytete, rrethet dhe portet e këtij vendi, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur Nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafies. Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do të ketë qëndrim rigoroz ligjor”, - deklaroi ai. Më poshtë kryeministri theksoi se në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë që të pengojë ekzekutivin në luftën kundër mafies. Ai kujtoi qëndrimin e dy ditëve më parë, duke theksuar se ajo çka bëri publike është vetëm një pjesë, pasi tentakulat e tmerrshme të mafies shtrihen në mbarë vendin. “E dini këngën që këndohet në Himarë: “Himarës ç’i zunë sytë...”, rreshtin tjetër nuk po e them, se e bën mbledhjen më politike se ç’duhet. Por Himarës ia zunë sytë. Mjafton të shkoni në Himarë. Bukurive natyrore të Himarës mafia u vuri perde dhe aq sa e sheh detin nga Tropoja, aq mund ta shohësh mbrapa perdes së Himarës”, - deklaroi ai. Duke u ndalur në situatën në Bashkinë e Tiranës, kryeministri Berisha tha se nuk ka ndonjë investim të huaj, pasi i është ndalur.

Akuzat e Berishës kundër Ramës

Mbrëmjen e dy ditëve më parë kryeministri akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së, se bashkë me një grup biznesmenësh dhe politikanësh përbëjnë kupolën e mafies më të rrezikshme të Tiranës dhe Ballkanit. Ai publikoi një dosje me emrat e biznesmenëve dhe politikanëve që sipas tij kanë përfituar të gjithë së bashku 500 mijë metra katrorë troje për ndërtim, me vlerë 750 milionë euro, në mënyrë të paligjshme. Berisha akuzoi Ramën si njeriun që u ka dhënë leje ndërtimi dhe ka ndihmuar këta persona, madje edhe duke ua gllabëruar pronarëve të vërtetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›