Detyrimi, stafi mjekësor raportim të përditshëm
Kontratat e këtij viti mes Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe qendrave shëndetësore detyrojnë palët që t‘i përshtaten ndryshimeve të reja. Kështu, raportimi i aktivitetit të përditshëm i stafit mjekësor, me anë të formularit të vizitës dhe procedurave mjekësore, është një ndër risitë e kësaj kontrate, e lidhur kohët e fundit mes ISKSH-së dhe 413 qendrave shëndetësore në vend. Në kontratë, sipas ISKSH-së, përcaktohet edhe ndërrimi i kategorive për mjekët e familjes, të cilët punojnë si pediatër dhe mund të kalojnë me dëshirën e tyre si mjek familjeje për të gjitha moshat. Kjo risi vjen me qëllim që të lehtësohet kalimi drejt një kategorie mjekësh familjeje për të gjitha moshat. Në një nen të veçantë është parashikuar ndryshimi i klasifikimit të mjekut të familjes, kur ai nuk plotëson normën e ngarkesës, apo në raste të tjera me kërkesën e mjekut. Kështu, kur mjeku pediatër kërkon të vazhdojë të mbajë fëmijët që kalojnë moshën 14 vjeç, etj. Kontrata e re përcakton se "ndryshimet i paraqiten Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor me propozimin e drejtorit të qendrës shëndetësore dhe pëlqimin e mjekut". Gjithashtu, për herë të parë janë përfshirë detyrat e drejtorit të qendrës shëndetësore në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës, si edhe neni për sanksionet dhe procedurat e ankimimit.