E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa peshon? Sa i gjatë je? Nis studimi për shqiptarët

Në fund të këtij viti, të gjithë do të mund të mësojmë se cila është gjatësia mesatare e shqiptarëve, pesha trupore më e ndeshur, mënyra se si ushqehemi. Por, përveç këtyre, natyrisht do të mësojmë edhe të dhëna të rëndësishme, si niveli i arsimimit, aksesi ndaj kujdesit shëndetësor i popullsisë, niveli real i emigracionit, punësimi, si dhe shumë drejtime të tjera.

Të gjitha këto janë pjesë e një studimi që ka nisur në muajin nëntor të një viti më parë dhe pritet që të përmbyllet në dhjetorin e 2009-ës.

"Në dhjetor të këtij viti, për herë të parë vendi do të ketë të dhëna të plota për demografinë e popullsisë", shprehen specialistët që po merren me hartimin e të dhënave, që do të jenë baza e këtij studimi. Qeveria shqiptare, me ndihmën e USAID Albania dhe partnerë të tjerë, bëhet e ditur se po realizojnë që prej muajit nëntor 2008, "vëzhgimin demografik dhe shëndetësor". Ky vëzhgim konsiderohet mjaft i rëndësishëm, për shkak të të dhënave që do të mund të raportojë, si dhe për faktin se ai cilësohet si i pari i këtij lloji për vendin tonë.

Specialistët e projektit shtojnë më tej se një ndër dobitë e kësaj pune akumuluese të dhënash është edhe fakti se strukturat politikëbërëse do të mund të dinë se sa është numri real i emigrantëve, si është niveli i arsimimit të popullatës, ai i punësimit etj.

Në këtë studim demografik dhe shëndetësor, do të përfshihen 9 mijë familje në të gjithë vendin dhe grupmosha e të anketuarve do të jetë mes 14 dhe 49-vjeçarëve.

Një pjesë mjaft e rëndësishme në mbledhjen dhe më pas përpunimin e të dhënave për popullsinë tonë do të jetë edhe pjesa që i takon informacioneve të natyrës shëndetësore. Kështu, saktësohet se në këtë vëzhgim po kampionohen banorët si për nivelin e ushqyerjes, ashtu edhe për gjatësinë, peshën, për tensionin arterial dhe në mënyrë të veçantë për eksesin që ata kanë në shërbimet shëndetësore dhe kujdesin që tregojnë në këtë drejtim.

Duke ju referuar situatës aktuale, standardet e sistemit shëndetësor në Shqipëri, lënë shumë për të dëshiruar, e pikërisht kjo konceptohet si një ndër faktorët që ndikojnë ndjeshëm në ekonominë e përgjithshme, edhe për shkak të shpenzimeve të larta jo vetëm shtetërore për mbulimin e kostove, por edhe individuale.

Nga një tjetër studim i kryer nga Banka Botërore, ka rezultuar se shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor rezultojnë se janë konsumatorë shumë të mëdhenj të medikamenteve. E, përveç situatës shëndetësore të popullatës, ky fenomen është lidhur jo në pak raste edhe me abuzimin e mjekëve që rekomandojnë ilaçe më tepër se sa është e domosdoshme në shumë raste.

Specialistët e USAID, që po merren me anketimin dje, kanë shkuar në periferi të kryeqytetit në Bashkinë e Kamzës, ku kanë vijuar punën për mbledhjen e këtyre të dhënave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›