E Diel, 1 Nëntor 2026

Të premten, funerali zyrtar për viktimat e tragjedisë

Të premten është parashikuar që të kryhet funerali zyrtar për të gjithë ata persona që humbën jetën nën gërmadha, si pasojë e një tërmeti të fuqishëm prej 5.8 ballësh në zonën e Abruzos në Itali. Në këtë ceremoni mortore, përveç personaliteteve të tjera të larta, mësohet se mund të jetë prezent edhe Presidenti i Republikës italiane, Xhorxho Napolitano. Ai do të jetë që sot në Abruzo, në zonën e shkatërruar.

Edhe Papa Benedikti XVI, gjatë audiencës në San Pietro ka shfaqur qëllimin për të shkuar në Abruzo, ndoshta në fillim të javës së ardhshme. "Shumë të dashur, ka thënë Ratzinger, duke iu drejtuar komunitetit të goditur nga tërmeti, sapo të jetë e mundur shpresoj që të vij dhe t‘ju takoj".

Për datën e vizitës së tij në zonën e shkatërruar nuk dihet ende asgjë e saktë, përveç faktit se kjo nuk do të ndodhë përpara ditës së Pashkëve.

Mendohet se ndër faktorët që kanë çuar në një përkujdesje të veçantë lidhur me vizitën e Papës në këtë zonë, është edhe ajo që lidhet me goditjet e herëpashershme të tërmetit në të gjithë këtë territor, si dhe situatës ende shumë komplekse të shpëtimit të sa më shumë personave nga rrënojat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›