Detyronin 21-vjeçaren të prostituonte, dy në pranga
Dy persona përdornin një 21-vjeçare si punëtore seksi në lokalin e tyre, por janë zbuluar nga policia dhe janë vënë në pranga. Në Korçë është zbuluar një tjetër lokal që përdorej për ushtrim prostitucioni, ndërkohë që akuzat ndaj dy të ndaluarve janë të rënda për faktin se autorët sipas dëshmisë së vajzës, e kanë mbajtur atë të mbyllur për ta shfrytëzuar si punëtore seksi kundrejt pagesës. Pas një pune të mirë hetimore, policia e Korçës ka mundur të zbulojë dhe dokumentojë këtë rast, duke vënë në pranga shtetasit Ilir Bandilli, 38 vjeç dhe Lorenc Callo, 35 vjeç, të dy nga qyteti i Korçës. Mësohet se të ndaluarit kishin një lokal në fshatin Drenovë dhe në shumë raste klientëve u ofrohej edhe shërbim seksi nga pronarët, të cilët vinin në dispozicion të tyre 21-vjeçaren kundrejt një pagese. Sipas policisë, vajza me inicialet J.P., banore e lagjes 4 të qytetit të Korçës, është shfrytëzuar në lokalin e Ilir Bandillit. Policia bëri të ditur se rasti është zbuluar në bazë të informacioneve operative se në lokalin e këtij fshati ushtrohej prostitucion. Nga hetimet ka rezultuar se vajza kryente marrëdhënie seksuale kundrejt një pagese prej 3000-4000 lekë për klient. Sipas policisë, ndaj Ilir Bandillit dhe Lorenc Callos rëndojnë akuzat për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për mbajtje të lokaleve për prostitucion. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh i zbulimit të lokaleve që përdorin punëtore seksi. Një javë më parë, një tjetër vajzë 21-vjeçare u zbulua se punonte si prostitutë në një lokal në fshatin Boboshticë.
#