Zbardhet vrasja e vjetër, ekstradohet i dyshuari
Ekstradohet nga Italia autori i një vrasje në vitin 1997, i cili u zbulua vetëm dhjetë vjet më vonë, pasi dosja ishte mbyllur pa autor. Bëhet fjalë për vrasjen e 15-vjeçarit Besian Breçani, për të cilën dje u soll me pranga nga Firence Gëzim Ndreu, 43 vjeç, lindur e banues në Vlorë. Nga të dhënat zyrtare mësohet se ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr. 759, datë 15 shtator 2009, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg“, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”. Gëzim Ndreu, në datë 04 qershor 1997, rreth orës 14.00’, te ish-lokal “Kolonja”, ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, Besian Breçanin. Një javë pas dhënies së vendimit nga ana e drejtësisë shqiptare, ku u vendos masa “arrest me burg”, Ndreu u kap në Firence të Italisë. Menjëherë policia italiane informoi për arrestimin dhe filluan procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Nga të dhënat e dosjes penale mësohet se ngjarja ka ardhur pas një konflikti që ka pasur mes Ndreut, 30 vjeç në atë kohë dhe tre adoleshentëve. Ata ishin zënë tri ditë para ngjarjes dhe më vonë 30-vjeçari ka vendosur dhe realizuar vrasjen e Breçanit. Ngjarja mbeti enigmatike në atë kohë, por me rihapjen e dosjeve të vjetra u bë dokumentimi i plotë i saj dhe u shpall në kërkim 43-vjeçari, që tashmë do i duhet të përgjigjet para gjykatës për akuzën e ngritur ndaj tij.
#