E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia vret grekun me dokumente false shqiptare

35-vjeçari i dyshuar për terrorizëm fshihej me emrin Renato Krasniqi

Dy persona të dyshuar për terrorizëm dhe grabitje janë përplasur ditën e djeshme me policinë greke dhe dyshimet e para kanë qenë se janë shqiptarë. Njëri prej tyre ka mbetur i vrarë dhe me vete i janë gjetur dokumentet false në emër të Renato Krasniqit, ndërkohë që tjetri ka mundur të arratiset, duke shtënë me armë. Sipas të dhënave, ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në lagjen “Dhafni” të Athinës, kur një person, me pasaportë false shqiptare humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Viktima mbante letra false me emrin Renato Krasniqi, 30 vjeç, por pas marrjes në pyetje të banorëve të zonës, ka rezultuar se ai është vendas. Ndërsa prokuroria urdhëroi ndalimin e agjentëve, deri në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, policët tentuan të kontrollin automjetin, ku ndodhej greku dhe një person tjetër, të cilët qëlluan të parët, me pistoleta të markës “Manjum”. Brenda makinës u gjet dhe një granatë, ndërsa viktima mbante një aparat komunikimi, që përdoret nga truproja të personave VIP. Në momentin që policia u bëri sinjal të dilnin nga makina, dy personat që gjendeshin brenda, dolën nga makina dhe filluan të qëllojnë kundër policisë me pistoleta në rrugën “Kundurioti”. Policët dolën menjëherë nga makina e tyre dhe qëlluan ndaj dy personave, duke plagosur njërin. Shefi i policisë tha se ai kishte marrë vetëm një plumb. Disa metra më tutje i plagosuri vdiq, ndërsa shoqëruesi tjetër u zhduk në rrugët e lagjes. Nga identifikimi i viktimës u vërtetua se ishte vendas, 35 vjeç dhe ishte i dënuar në vitin 1995 për incidente terrorizmi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›