Atentati ndaj avokatit lidhet me detyrën
Atentati ndaj avokatit të njohur në qytetin e Shkodrës, Gjon Lepuri, dyshohet se mund të jetë kryer për shkak të detyrës.
Eksplozivi i vendosur në derën e shtëpisë së tij, mund të jetë një paralajmërim apo shenjë hakmarrjeje të tij. Kjo ka qenë një nga pistat kryesore ku është përqendruar grupi hetimor i ngritur pas ngjarjes që tronditi lagjen “Parrucë”, mbrëmjen vonë të së martës.
NgjarjaRreth orës 23:30 të së martës është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, në një nga pallatet e lagjes “Parrucë”, të qytetit të Shkodrës. Shpërthimi ka qenë tepër i fortë dhe është dëgjuar në të gjithë qendrën e qytetit verior. Në fillim është menduar për shpërthimin e një bombole gazi, por brenda pak minutash është kuptuar se bëhej fjalë për vendosjen e një sasie eksplozivi te dera e apartamentit të avokatit Gjon Lepuri. Avokati i mirënjohur në qytetin verior jeton në katin e tretë të një pallati me gruan dhe dy fëmijët, të cilët ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit. Për fat të mirë ka pasur vetëm dëme materiale brenda banesës së avokatit, ndërkohë e kanë pësuar dhe fqinjët e pallatit, të cilëve u janë dëmtuar dyert e brendshme dhe thyer xhamat e dritareve. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, që kanë nisur veprimet hetimore në bashkëpunim dhe me një grup prokurorësh të organit të akuzës së Shkodrës. Në lidhje me ngjarjen, sipas policisë është ngritur një grup i veçantë pune me specialist të antiterrorit.
HetimetAgjentë të antiterrorit pohuan për gazetën se akte të tilla kriminale që me përdorim eksplozivi janë tepër të vështira për t’u zbuluar, për faktin se nuk lihen gjurmë në vendin e ngjarjes. Agjentët kanë intervistuar avokatin në lidhje me ngjarjen për të mësuar detaje nëse ka pasur ndonjë kërcënim të padenoncuar. Por burime nga policia bëjnë të ditur se avokati është shprehur se nuk ka pasur probleme personale dhe se gjithçka mund të ketë ardhur për shkak të profesionit që ushtron prej vitesh në mbrojtje të çështjeve penale dhe civile. Pak minuta pas ngjarjes, avokati Gjon Lepuri, tregoi ngjarjen për “Shqip”: “Kisha rreth 15 minuta që kisha hyrë në banesë dhe po haja darkë, kur dëgjova një shpërthim tepër të fuqishëm që tronditi shtëpinë. Nuk arrita të kuptoja se çfarë ndodhi, pastaj pamë që te dera e shtëpisë ishte vënë një sasi eksplozivi. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, jo vetëm në shtëpinë time ku çdo gjë është shkatërruar, por dhe fqinjët kanë pësuar mjaft dëme. Mendoj se gjithçka ka të bëjë me detyrën e avokatit, pasi nuk kam asnjë konflikt personal”.
Pak minuta pas ngjarjes, ekspertët e antiterrorit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër kanë bërë dhe një kontroll fizik të automjetit luksoz tip “Mercedes Benz”, pronë e avokatit, se mos i ishte vënë eksploziv edhe makinës, por nuk ka rezultuar ndonjë fakt i tillë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, grupi i ekspertëve ka arritur në përfundimin se në derën e shtëpisë së avokatit janë vënë rreth 500 gramë tritol.
#