Tiranë, grabitësi serial vjedh me armë sallën e kumarit
Një i dyshuar për grabitje me armë ka goditur sërish. Objektivi i radhës ka qenë Tirana, ku ai me maskë dhe me armë ka hyrë brenda një salle me lojëra fati, duke marrë 400 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që policia po punon për kapjen e tij. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, rreth orës 05:00 të mëngjesit është dhënë njoftimi se te një lokal me lojëra fati, në rrugën “Myslym Shyri”, pranë ish-kinema “Dajti”, jo shumë larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka ndodhur një grabitje me armë. Me t’u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 2, por edhe ato të Drejtorisë së Policisë, megjithëse autori ka mundur të largohet në një kohë të shkurtër. Sipas të dhënave policore, një person me maskë dhe i armatosur me pistoletë kishte hyrë brenda në lokalin me lojëra fati, ku ndodheshin vetëm punonjësit. Duke kërcënuar se do i vriste, ai u ka kërkuar paratë dhe më pas i ka shtrirë përdhe. Menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar edhe filmimit të kamerave. Policia, e cila ka marrë të dhënat paraprake ka rrethuar zonën, si dhe ka ngritur dy postblloqe. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ai ka qenë i vetëm dhe mund të jetë larguar fillimisht në këmbë dhe më pas me ndonjë mjet që e kishte lënë larg vendit të grabitjes. Megjithëse kontrollohet kanë vijuar deri paraditen e djeshme, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Ndërkaq, gjatë verifikimeve të kryera ka rezultuar se grabitësi mund të jetë i njëjti person që ka kryer edhe disa grabitje në Durrës dhe qytete të tjera. Për këtë arsye, është kërkuar bashkëpunim edhe me efektivët e policisë në qytetin e Durrësit, me qëllim identifikimin sa më të shpejtë të autorit. Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje edhe personelin e subjektit të vjedhur për të hetuar nëse ka pasur bashkëpunim në këtë ngjarje. Policia e kryeqytetit nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me këtë grabitje, pavarësisht se nga të dhënat e besueshme mësohet se vlera e vjedhur, sipas dëshmive ka qenë rreth 400 mijë lekë të reja.
#