PS-PD shtyjnë sërish miratimin e draftit për Gjykatën Administrative
Opozita dhe maxhoranca nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët as pas negociatave disaditore për projektligjin e Gjykatës Administrative. Madje, varianti i ripërpunuar i Ministrisë së Drejtësisë ka përplasur fort kryetarin e Komisionit të Ligjeve me nënkryetarin e tij. Megjithëse ministri Enkelejd Alibeaj deklaroi se propozimet prej 22 faqesh të Partisë Socialiste janë përfshirë në draft, kjo e fundit ka mbetur e pakënaqur.
“Në qoftë se ne themi ose prano letrën time ose përndryshe kapitullo, pastaj këtu kemi deklaratë lufte”, - u shpreh kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. “Kjo këmishë force që doni të vishni dhe ju personalisht dhe ministri përballë nesh, nuk i bën gjë tjetër veçse nëse ka një vullnet për konsensus e shmang këtë konsensus”, - është shprehur nënkryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj. Pas një mbledhjeje, e cila zgjati më shumë se një orë, PS-ja dhe PD-ja e shtynë sërish miratimin e draftit dhe ranë dakord që të mblidhen sërish ditën e hënë me pjesëmarrjen e ekspertëve të të gjitha grupeve të interesit.
PD-LSI bashkojnë votat në komision për uljen e taksës vendore
Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkuar sërish votat me Partinë Demokratike. Gjatë mbledhjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve, anëtari i LSI-së ka miratuar bashkë me PD-në ndryshimet në ligjin për taksat vendore. Bëhet fjalë për një ndryshim në ligjin për urbanistikën, sipas të cilit taksa e regjistrimit prej 1% që i paguhet pushtetit vendor të zonës ku kryhet investimi ulet dhe shkon në 0.1 për qind. Deputetë të Partisë Socialiste e kontestuan ligjin si përpjekje të qeverisë për të bërë lojën e disa bizneseve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, para që sipas tyre nga pushteti vendor do të shkojnë për interesa të tjera të fushatës së partisë në pushtet. “Jemi para zgjedhjeve. Pse e merrni pikërisht në këtë moment një vendim të tillë? Ju po bëni pazar për qëllime elektorale”, - është shprehur dje në komision deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Ndryshimi pritet të favorizojë me uljen e taksës së regjistrimit të bizneseve që kanë projekte në infrastrukturë, në ndërtimin e rrugëve kombëtare, aeroporteve dhe atë të energjetikës.
Berisha me grip, shtyhet mbledhja e qeverisë
Mbledhja e qeverisë, e cila ishte parashikuar të zhvillohej gjatë paradites së djeshme, sipas axhendës normale të punimeve të Këshillit të Ministrave, nuk është zhvilluar. Madje, kjo mbledhje është shtyrë dhe pritet të zhvillohet gjatë mesditës së sotme. Por shkak për shtyrjen e zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave është bërë sëmundja e kryeministrit Berisha. Burime nga stafi i ngushtë i tij kanë bërë të ditur dje për gazetën se kreu i qeverisë është i sëmurë me grip. Gjatë ditës së djeshme mësohet se kryeministri Sali Berisha ka qenë me temperaturë të lartë, e cila i ka shkaktuar pamundësi fizike për të drejtuar një mbledhje të rëndësishme si ajo e Këshillit të Ministrave. Pritet që mbledhja e radhës e qeverisë të zhvillohet, ashtu edhe sikurse është njoftuar, gjatë ditës së sotme. Burimet bëjnë të ditur se mbledhjen e qeverisë do ta drejtojë vetë kreu i Ekzekutivit, shëndeti i të cilit është nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët dhe pritet të përmirësohet.
Topalli në Kroaci merr garanci për liberalizimin e vizave midis dy vendeve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kroaci ku është takuar me homologun e saj Bebiç, kryeministrin Sanader, si dhe me Presidentin Stipe Mesiç. “Diplomacia ka marrë një dimension shumëplanësh ku përfshihen të gjitha institucionet dhe diplomacia parlamentare ka tashmë një karakter thelbësor. Shqipëria dhe Kroacia janë orientuar qartazi drejt NATO-s dhe BE-së dhe interesi ynë është që e gjithë Europa Juglindore të jetë sa më shpejt pjesë e strukturave euroatlantike. Brenda këtij viti do të heqim edhe regjimin e vizave mes dy vendeve dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mjet komunikimi tokësor, ajror dhe detar për të afruar edhe më shumë dy popujt, por edhe për të rritur shkëmbimet tregtare”, - është shprehur presidenti kroat gjatë takimit me kryetaren Topalli. Nga ana e saj, Topalli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe shprehu besimin se Kroacia do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO në samitin e prillit.
5 Mars 2009