Devi Muka, kapiteni i rilindur i Tiranës
Tirana fitoi me vështirësi ndaj Lushnjës dy ditë më parë, por e rëndësishme për skuadrën e Kolës ishte fitorja, çka i dha ekipit një trepikësh me mjaft vlera dhe i solli bardheblutë dhe një herë në krye të klasifikimit, të shkëputur tashmë me 2 pikë. Por padyshim që në këtë ecuri të mirë të skuadrës nuk ka ndikuar vetëm ndryshimi që është bërë në radhët e stafit teknik, pra ardhja e trajnerit Kola dhe ndihmësit të tij Bençivenga, por edhe rikthimi spektakolar i kapitenit Devi Muka, i cili nuk luante një ndeshje të plotë që prej më shumë se 15 muajsh. Por “Labi” tregoi edhe një herë se mbetet një lider i pazëvendësueshëm te Tirana dhe mbajti premtimin e tij për një rikthim të suksesshëm, tashmë duke lëshuar sinjale të qarta titulli. E kishin konsideruar të mbaruar, por premtimi i tij në dhjetor se “në pjesën e dytë të kampionatit do të shihni një tjetër Mukë”, bëri të rikthehej më parë seç parashikohej dhe më në fund arrin të gjejë edhe rrugën e rrjetës. Sigurisht që merita e aksionit ishte e Memellit, por klasi në devijimin e topit dhe përshëndetja e rrjetës nuk kishte si të mos e gëzonte kapitenin 32-vjeçar, që pas fitores së fundit sheh plot besim drejt titullit. “Kam premtuar ta udhëheq ekipin drejt titullit kampion dhe po këmbëngul edhe vetë në fushën e lojës, mbi mundësitë e mia, në mënyrë që të shkojmë të qetë drejt finishit, mundësitë tona janë të mëdha, kualiteti është i spikatur dhe mbështetja nuk na ka munguar. Kësisoj ne do ta fitojmë titullin. U kemi premtuar tifozëve kampionatin dhe fitorja e fundit sigurisht që na ka mbushur me besim”, është shprehur Muka, që golin e tij ua ka dedikuar të gjithë dashamirësve të Tiranës, përfshi edhe skeptikëve që nuk besonin më në rikthimin e tij në fushën e lojës. Parë në këtë kuadër, kapiteni bardheblu ka gjetur ekuilibrin e duhur në radhët e skuadrës dhe po ndihmon vazhdimisht grupin që të ketë qëndrueshmëri në lojë e rezultat. Sipas tij, kalendari nga njëra anë dhe përgatitja fizike nga ana tjetër, do të shfrytëzohen nga skuadra për të realizuar objektivat e saj. Për Mukën, shkëputja me dy pikë do të shoqërohet me thellim në javët e ardhshme, duke qenë optimist se Tirana do ta zgjidhë çështjen e titullit para javës së fundit të kampionatit.