E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irlandë vriten dy ushtarë britanikë

 

Pas rreth 12 vitesh, militantët irlandezë sulmuan një bazë ushtarake në Irlandën e Veriut duke vrarë dy ushtarë britanikë. Sulmi u dënua rëndë nga kryeministri britanik, Gordon Braun, i cili tha se nuk duhej lejuar, që ky sulm të nxirrte nga binarët procesin e paqes. Sipas tij, ky proces është përkrahur gjerësisht nga populli i Irlandës së Veriut. Sulmi nuk është marrë përsipër  nga asnjë grup. Të premten shefi i policisë në Irlandën e Veriut, Sir Hugh Orde, paralajmëroi për rrezikun e lartë të dhunës nga grupe të pakënaqura brenda radhëve të republikanëve, të cilët janë kundër marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes protestantëve dhe katolikëve në Irlandën e Veriut. Partia më e madhe republikane në Irlandën e Veriut, Sinn Fein, tha se sulmi i fundit ishte një hap i gabuar dhe kundër-produktiv. Sinn Fein-i, që kërkon bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës, tha se sulme të tilla nuk gëzonin përkrahje dhe dëmtonin strategjinë e kësaj partie për t’i dhënë fund sundimit britanik në Irlandën e Veriut me mjete demokratike. Procesi i paqes në Irlandën e Veriut përmendet shpesh si shembull suksesi për rajone të tjera në botë, duke u paraqitur si një model. Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në vitin 1998, në Irlandën e Veriut janë bërë përparime të dukshme, përfshirë edhe krijimin e një administrate, ku janë të përfaqësuara dy komunitetet kryesore, protestantët dhe katolikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›