Prapaskena, Fushaj anuloi gjobat para sfidës me Bylisin
Pavarësisht se asgjë nuk është deklaruar nga vetë presidenti i klubit të Vllaznisë, Valter Fushaj, mësohet se para takimit me Bylisin ai u ka bërë një premtim lojtarëve që ishin aktivizuar ndaj Teutës, se do t’u falte gjobat, prej 30% të pagës, në rast mospërsëritje të situatave të atilla. Mirëpo, ja që edhe kjo taktikë nuk ka bërë fajde. Sepse kuqeblutë kanë bërë më të keqen e mundshme përballë ballshiotëve, duke lënë të zhgënjyer jo vetëm tifozët, por sidomos presidencën dhe stafin e klubit. Kësisoj, barazimi me ekipin e Bylisit mund të bëjë që presidenti Fushaj të jetë i prerë në mendimin e tij. Madje, kësaj here ka shumë mundësi që të mos u shpëtojë gjobave asnjë prej futbollistëve të Vllaznisë. Nëse në rastin e parë pati edhe përjashtime, kësaj herë mësohet se numri një i presidencës shkodrane nuk do të bëjë kurrfarë tolerimi. Në fakt, Fushaj këtë sezon i ka zgjidhur jo rrallëherë momentet e vështira pa ua pasur nevojën ndëshkimeve, të paktën gjer tani. Sepse mërzia që i ka shkaktuar kreut të klubit shkodran rezultati i takimit me Bylisin mund të mos e përjashtojë një mundësi të tillë. Gjithsesi, kjo mbetet akoma për t’u parë, pasi koha e shkurtër mes dy takimesh mund ta bëjë presidentin të reagojë më me gjakftohtësi. Drejtuesit e klubit duhet të bëjnë të pamundurën që së bashku me stafin dhe lojtarët të ndryshojnë këtë situatë aspak të favorshme ku ndodhen. Për sekretarin e klubit Medja nuk është koha që të ulen shumë në tavolina, sepse tani, sipas tij, është koha që ekipi të vazhdojë pa ndërprerë punën në seancat stërvitore.