Inzagi tërheq Milanin, Lacio fundos Napolin
Fatmirësisht, Milani ka arritur t’u shmanget polemikave dhe problemeve, e kjo për meritë të Filipo Inzagit. Falë tregolëshit të tij, “Super-Pipo” ka mundur i vetëm Atalantën. Fillimisht ka shfrytëzuar një asist të Jankulovskit, ndërsa në pjesën e dytë atë të Patos e Zambrotës, duke lënë kështu pas krahëve humbjen me Sampdorian. Tripleta e fundit e numrit nëntë të kuqezinjve ka qenë ajo që i ka shënuar Livornos, në fund të sezonit të kaluar. Me këtë rezultat shumë të rëndësishëm, Milani ka blinduar kështu vendin e tretë në klasifikim, duke zgjeruar në pesë pikë diferencën nga Fiorentina, zotëruesja e vendit të katërt të Serisë A. Vjollcët kanë humbur ndeshjen e tyre në shtëpi kundër Palermos së papërmbajtshme të Davide Balardinit, e cila me golat e Simplisios dhe Mikolit ka gjunjëzuar skuadrën nga Firence.
Lacio
Skuadra e Delio Rosit, e cila tashmë duket se e ka kapërcyer plotësisht krizën e saj, me fitoret e fundit është futur në luftë për vendin e katërt që dhuron Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm. Lacialët kanë mundur në transfertë Napolin, gjithmonë e më shumë në krizë. Kapitenit Tomazo Roki, i cili zbriti në fushë si zëvendësuesi i Zarates, i kanë mjaftuar pak sekonda, fillimisht për të kaluar në avantazh kryeqytetasit dhe më pas për të dyfishuar rezultatin brenda tetë minutash. Tashmë bardhekaltrit janë vetëm katër pikë larg Kupës UEFA dhe vetëm pesë pikë larg Ligës së Kampionëve. Ndërkohë që dy pikë në nëntë ndeshje, janë treguesi i krizës së rëndë të Napolit, që vazhdon të mos gjejë kurën për kapërcimin e kësaj situate.
Di Vaio
Tripletë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, Marko Di Vaio, i cili ka arritur kuotën e 19 golave të shënuar në këtë sezon. Ai i ka dhuruar fitoren Bolonjës në sfidën kundër Sampdorias. Mihajloviç po fiton kështu sfidën e tij dhe kuqeblutë po vazhdojnë të largohen nga zona e rrezikshme. Fiton bindshëm edhe Siena, 3-0, në transfertë me Katanian. Ndërkohë që ndeshjet Kievo-Kaljari (1-1) dhe Leçe-Rexhina (0-0) kanë përfunduar në barazim: veronezët i janë bashkuar Torinos në vendin e tretë nga fundi, me 24 pikë, ndërsa situata e kalabrezëve dhe verdhekuqve të Leçes duket shumë e vështirë. Presidenti i Leçes, Semerato, ka vlerësuar situatën e Beretës, që rrezikon seriozisht pankinën.
SuperPipo: Ndihem si fëmijë
Milani e ka kaluar krizën dhe e gjithë kjo, falë bomberit të saj Pipo Inzagi, i cili me anë të një trpilete ka drejtuar Milanin drejt suksesit kundër Atalantës. “Jam shumë i lumtur – ka deklaruar sulmuesi për ‘Sky’, – kur mund të luaj një ndeshje në javë është tjetër histori. Unë kam të njëjtën dëshirë si atëherë, këmbët lëvizin ende dhe më bëjnë të ndihem si një djalosh. Është një kënaqësi e madhe në moshën time. Sot (dje) është dita e grave dhe ia dedikoj gjithçka nënës sime dhe Alesias. Golat që kam shënuar sot ia dedikoj atyre. Më kujtohet goli i parë në Lefe si të kishte ndodhur dje dhe kur mendoj që pas dy golash do të festoj treqind golat e mi,
është ndjesi shumë e bukur”.
Tifozët kontestojnë Milanin
Zhgënjimi i tifozëve kuqezinj është manifestuar në “San Siro” përpara fillimit të sfidës kundër Atalantës. Nga tifozeria milaniste janë ekspozuar katër pankarta: “Skuadra më e titulluar në botë? Po, por me këtë politikë që po ndjek do të fundoset”, “Futbollistët, trajneri dhe shoqëria, të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre”, “Një herë e një kohë shpenzoje me të vërtetë, por tani blen pa parametra fare”. “Një herë e një kohë ishte Milani i ëndrrave, tani është si një skuadër cirku”. Në mes të të gjitha këtyre pankartave shkruhej me të kuqe: “Nderoni ngjyrat tona”. Ditën në të cilën Milani ka zyrtarizuar zgjatjen e kontratës me Bekham, tifozët kanë
manifestuar zhgënjimin e tyre.
Serie A
Java e 27-të
Milan – Atalanta 3-0
Golat: Inzagi 7’, 71’, 74’
Bolonja – Sampdoria 3-0
Golat: / Di Vaio 45’, 87’, 91’
Katania – Siena 0-3
Golat: / Makarone 9’, Gezhal 69’, Jarolim 90’
Kievo – Kaljari 1-1
Golat: Makinua 56’ / Zheda 28’
Fiorentina – Palermo 0-2
Golat: / Simplisio 48’; Mikoli 56’
Leçe – Rexhina 0-0
Napoli – Lacio 0-2
Golat: / Roki 57’, 65’
RENDITJA
Skuadra N F B H Gol P
1. Inter 27 19 6 2 49-21 63
2. Juventus 27 17 5 5 43-21 56
3. Milan 27 15 6 6 46-27 51
4. Fiorentina 27 14 4 9 38-27 46
5. Xhenoa 27 12 9 6 36-27 45
6. Roma 27 13 6 8 41-35 45
7. Lacio 27 12 5 10 39-37 41
8. Kaljari 27 11 6 10 33-28 39
9. Palermo 27 12 3 12 34-35 39
10. Atalanta 27 11 3 13 31-31 36
11. Napoli 27 10 5 12 32-32 35
12. Udineze 27 9 8 10 37-38 35
13. Katania 27 9 6 12 28-33 33
14. Sampdoria 27 8 8 11 26-33 32
15. Siena 27 8 7 12 22-26 31
16. Bolonja 27 6 8 13 30-42 26
17. Torino 27 5 9 13 25-40 24
18. Kievo 27 5 9 13 21-36 24
19. Leçe 27 4 11 12 22-41 23
20. Rexhina 27 3 10 14 21-44 19