Thaçi sfidon sërish: Ftoj Tadiç për një vizitë zyrtare
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka hedhur një tjetër sfidë autoriteteve serbe, duke ftuar Presidentin Serb, Boris Tadiç për një vizitë zyrtare në zyrën e tij në Kosovë. “Jam gati të takoj Tadiçin nëse ai pranon se po vjen për vizitë në institucionet e Kosovës”, tha Thaçi. Pak javë më parë, kryeministri Thaçi sfidoi Beogradin zyrtar duke deklaruar se shumë shpejt ai do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Ndërsa nga ana tjetër, Serbia ka prej vitesh në qarkullim një mandat arrestimi për kryeministrin e Kosovës, ish-luftëtar i UÇK-së, gjë që mund të realizohet vetëm nëse Thaçi prek në territorin e Serbisë. “Beogradi çdo ditë kërkon pranga edhe qeli për mua. Por unë e ftoj Presidentin Tadiç, që në vend të prangave dhe qelive të vijë në zyrën time për një shtrëngim duarsh, në zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe e ftoj edhe të nisim një bashkëpunim ndërshtetëror”, tha Thaçi, gjatë një debati për çështjet e komuniteteve të organizuar në Çagllavicë, Prishtinë. Thaçi tha se Kosova dhe Serbia kanë të ardhme euroatlantike dhe nuk duhet të shikohen edhe më tutje si në periudhën e Luftës se Ftohtë. Gjatë takimit Thaçi tha se: “Çdo pëllëmbë e territorit të Kosovës, është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie. Dhe prandaj përveç ftesës për kthim, qeveria e Kosovës ofron edhe mirëqenie dhe mbrojtje për ata që dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre”. Sipas Kryeministrit të Kosovës, komunikimi mes Prishtinës dhe Beogradit është ‘i paevitueshëm’ dhe në interesin e Kosovës. Sipas tij, vizita e Tadiçit si Presidenti i një vendi fqinj në Kryeministrinë e një vendi tjetër do të ishte vendimi më i drejtë, që Tadiç mund të marrë në të mirë të stabilitetit të rajonit; “për Serbinë, për Kosovën dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë”. Në fjalët e tij Thaçi tha se Prishtina ka qenë e gatshme për të komunikuar me Beogradin dhe të bashkëpunojë për shumë çështje bazuar në paketën e presidentit Marti Ahtisari. Më pas Thaçi shtoi se ai dhe Tadiç janë politikanë që mund të kapërcejnë “disa emocione të përhershme të njerëzve për të fituar hyrje në NATO dhe BE”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha për “Zëri i Amerikës” se procesi i njohjes së shtetit të ri nuk ka pësuar ngecje. Hyseni hodhi poshtë kritikat që i bëhen diplomacisë së Kosovës për këtë çështje. Ai shprehu besimin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të së drejtës së popullit të Kosovës për të shpallur pavarësinë. Ndërkohë, thuhet se është vendosur që UNMIK të qëndrojë në Kosovë deri në qershor të vitit 2010, sipas agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”.
50 të plagosur
Rreth 50 persona njerëz u plagosën në përleshjet e djeshme mes policisë dhe serbëve të Kosovës. Serbët protestonin pasi disa fshatra të tyre në rajonin e Gjilanit kishin disa javë pa energji elektrike. Përleshjet nisën kur qindra serbë nga fshat i Shilovës e zhvendosën protestën e tyre në një rrugë kryesore, që lidh Gjilanin me Serbinë Jugore. Media serbe, citon udhëheqësin lokal të serbëve, Aleksandër Petroviç, sipas të cilit fshatarët kishin planifikuar një protestë paqësore, kur policia i ndali dhe nisi të shtynte gratë dhe fëmijët. Të paktën 5 policë po marrin ndihmë mjekësore, pasi u qëlluan me gurë nga protestuesit. Përleshjet mes dy etnive në Kosovë, serbët dhe shqiptarët qenë të shpeshta që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës një vit më parë.