E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subjektet tregtare, “prodhuesit” e mbetjeve

Subjektet tregtare që zhvillojnë veprimtarinë në kryeqytet, si rrjedhim i volumit të tyre ditor të punës renditen ndër “prodhuesit” kryesorë të mbetjeve urbane. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës u kërkon subjekteve tregtare që t’i hedhin mbeturinat sipas orareve të parashikuara, në të kundërt do të gjobiten. Bëhet fjalë për mbetje të cilat kanë volum të madh e mund të bllokojnë kontenierët, që në të njëjtën kohë shërbejnë edhe për banorët e zonave ku ndodhen këto subjekte biznesi. Për këtë arsye është kërkuar me forcë respektimi i këtij orari, çka do të ndikonte në lehtësimin e gjendjes së mbetjeve urbane e në të njëjtën kohë do të siguronte një mjedis më të pastër për të gjithë. Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese për domosdoshmërinë e respektimit të orareve të vendosura për hedhjen e mbeturinave, me synim eliminimin e tejmbushjes së kontenierëve. Drejtoria e Menaxhimit të Mjedisit në këtë Bashki ka përgatitur një fletëpalosje në të cilën janë rikujtuar oraret e përcaktuara më parë për 41 sheshe dhe rrugë tregtare. Në këto zona ka një përqendrim më të madh të subjekteve që zhvillojnë aktivitet biznesi dhe rrjedhimisht edhe çështja e vendgrumbullimeve të mbetjeve urbane është më e ndjeshme. Oraret e përcaktuara nga strukturat e Bashkisë kanë si synim që të koordinojnë kohën e hedhjes së mbeturinave nga ana e subjekteve tregtare me atë të heqjes së këtyre mbeturinave nga ana e automjeteve të kompanive që merren me pastrimin e qytetit. Në këtë mënyrë do të shmanget që mbetjet të hidhen pasi ka kaluar makina e pastrimit në atë zonë. Në rast të kundërt, mbeturinat do të qëndrojnë në kontenier për një kohë të gjatë, derisa të vijë sërish koha e tërheqjes së tyre nga automjetet përkatëse. Kësisoj, ato jo vetëm që do të përbënin problem për mjedisin, por edhe për banorët e zonave përreth, të cilët do t’i kishin kontenierët të zënë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›