Devoll, i dehuri vret veten me granatë, plagoset gruaja
DEVOLL/ GEZIM ASHIMI
Vret veten dhe plagos bashkëshorten me granatë, pasi u konfliktuan për shkak të alkoolit. Ngjarja ndodhi në Vidohovë të Devollit, fshat i cili është bërë disa herë objekt i kronikave të zeza. Sipas policisë, 32-vjeçari Kastriot Mici gjeti vdekjen pasi i tërhoqi siguresën një granate që mbante në shtëpi, ndërsa e shoqja, Aurora Mici, 23 vjeçe, pësoi plagë të rënda. Shpërthimi u provokua rreth orës 22:00 të së enjtes, kur dy fëmijët e çiftit, gjashtë dhe katër vjeç po flinin. Kryefamiljari ishte kthyer në banesë në gjendje të dehur, çka shkaktoi edhe debate ndërmjet tij dhe gruas. Burime të policisë bënë të ditur se familja Mici, për shkak të gjendjes ekonomike dhe konsumimit të vazhdueshëm të alkoolit nga ana e 32-vjeçarit, kishte pasur në mënyrë të përsëritur grindje e dhunë. Mbrëmjen e së enjtes, pasi kishte shkuar në gjendje të dehur në shtëpi, viktima ka shkëmbyer fjalë me gruan e tij. Për shkak të pijes së tepruar, situata i ka dalë jashtë kontrollit. Ai mori një granatë që e mbante në shtëpi dhe i hoqi siguresën me qëllim për t'u vetëvrarë. Bashkëshortja e tij më kot ndërhyri për t'ia larguar nga dora. Granata shpërtheu sa hap e mbyll sytë, duke shkaktuar edhe tragjedinë në familjen Mici. Për pasojë mbeti i vdekur në vend babai i dy fëmijëve, ndërsa gruaja që i ndodhej pranë, mori plagë të rënda në pjesën e kokës dhe të gjymtyrëve. Shpërthimi i kapsollës, por edhe ulërimat e fëmijëve, të cilët u ngritën të tmerruar nga gjumi, vunë në lëvizje fqinjët e viktimave. Ata e dërguan të plagosurën në spitalin e Korçës, ku pas ndihmës së parë, e kaloi rrezikun për jetën. Policia e ka cilësuar vdekjen e 32-vjeçarit nga shpërthimi i granatës si aksidentale, për shkak se ai e ka hequr siguresën në gjendje të dehur. Por burimet bënë të ditur se gjendja e vështirë ekonomike që po kalonte familja Mici, papunësia e kryefamiljarit të saj dhe sherret në familje për alkoolin janë bërë shkak i kësaj tragjedie. "Im shoq erdhi në shtëpi rreth orës 22:00. Kishte pirë, por nuk ishte hera e parë që ndodhte kjo. Kishte shumë kohë i papunë dhe ai kishte nisur të pinte gjithnjë e më shumë. Kur e pashë ashtu të dehur filluam të debatonim. Nuk më vinte mirë ta shikoja në atë gjendje. Si çdo familje, edhe ne kishim mosmarrëveshjet tona, sidomos kur bëhej fjalë për gjendjen ekonomike dhe rritjen e fëmijëve. Kemi dy fëmijë për të ushqyer dhe rritur, vajzën 6 vjeçe dhe djalin katër vjeç. Burri mërzitej shpesh nga kjo gjendje, ndaj nisi të pinte, por kjo vetëm sa krijonte sherre në familje". Kështu u shpreh dje nga spitali i Korçës, Aurora Mici. Sipas saj, pas debatit që ata kishin bërë, i shoqi e kishte puthur dhe më pas ishte larguar me shpejtësi drejt oborrit të shtëpisë. "E ndoqa dhe pashë se në dorë mbante një granatë. Nuk e di se si e gjeti aq shpejt në errësirë. Iu afrova për t'ia hequr nga dora, por ashtu e tmerruar siç isha nuk munda të bëj dot asgjë, sepse ajo shpërtheu", u shpreh më tej 23-vjeçarja, e cila tashmë duhet të rrisë e vetme dy fëmijët e saj.