E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentët e klubeve japin “OK”-in për Ligën



Leonard Karaj

Liga profesioniste ka hedhur dje hapin e parë drejt krijimit, pas mbledhjes mjaft të debatueshme mes presidentëve të klubeve, zhvilluar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në takimin që zgjati 3 orë, u vendos që kryetar i Komisionit të Kategorisë Superiore të zgjidhet presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Por kjo shënon hapin e parë drejt Ligës, pasi brenda një viti duhet të hartohet statuti i saj dhe të bëhet regjistrimi në gjykatë. Mbledhja e presidentëve, ku ishin të pranishëm presidenti i Tiranës, Refik Halili; ai i Vllaznisë, Valter Fushaj; kreu i Besës, Nexhat Bizhdili; presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu; zëvendëspresidenti i Dinamos, Avni Braçe; presidenti i Gramozit, Mustafa Taçi; ai i Laçit, Pashk Laska si edhe trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, është shoqëruar me debate të forta dhe akuza për tri orët e saj. Presidenti i Vllaznisë, Fushaj, ka kërkuar që kur të vijë momenti te Liga, kreu i saj të zgjidhet me votim unanim. “Nuk dua që disa klube të bëhen bashkë dhe të na presin në besë”, ka thënë ai. I pyetur pas mbledhjes, nëse klubet janë gati që të marrin në dorë kompetenca të rëndësishme të federatës, si zgjedhja e dizenjatorit të arbitrave apo gjëra të tilla të ngjashme, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, u përgjigj pozitivisht, por sipas tij, klubet duan të ruajnë të drejtën për të bërë propozime. Ndërkohë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, e quajti një hap tepër pozitiv këtë mbledhje. “Kam 10 vjet president dhe kjo është hera e parë që ne bëhemi bashkë. Më duket një hap pozitiv përpara, për të pasur një futboll më të mirë, pasi i dimë problemet që po kalojmë”, pohoi Bizhdili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›