Dibër, ekzekuton vëllanë për tokën e të parëve
DIBER - Vret vëllanë me thika pas konfliktit për tokën. Policia e Dibrës tha mbrëmë se ngjarja ndodhi në fshatin Fushë Alie. Viktima e konfliktit mes vëllezërve ishte Ilmi Buci, 56 vjeç, ndërkohë si autor është akuzuar i vëlllai Fiqiri Buci, 66 vjeç. Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën "Panorama" se vëllai i madh ishte shpërngulur nga vendlindja për në Tiranë, por herë pas herë kthehej në fshat dhe kërkonte të merrte nën pronësi një pjesë toke të cilën e administronte i vëllai. Rreth orës 20.00 dy vëllezërit sipas banorëve të lagjes ku ndodhi krimi, kanë zbritur në tokën e të parëve të tyre. "Kishim dëgjuar se ata prej 4-5 vitesh ziheshin për pronësinë e tokës por nuk besonim se çështja do të shkonte deri në vrasje", kanë thënë për policinë të afërm të viktimës. Të njëjtët banorë janë shprehur për hetuesit e krimit se kanë parë nga larg sherrin, rrëzimin përdhe të Ilmiut dhe largimin me shpejtësi të Fiqiriut. Bashkëshortja, djali dhe të afërm të Ilmi Bucit kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes. Ata kanë gjetur njeriun e tyre të mbuluar nga gjaku, pasi kishte marrë 3 goditje me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, çka i sollën vdekjen brenda pak minutash. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorit. Pasi kanë siguruar informacionet e para për lëvizjen e tij kanë nisur kontrollin në disa shtëpi të braktisura të fshatit. 66-vjeçari ka bërë të gjitha përpjekjet për t'u fshehur duke shfrytëzuar natën dhe terrenin e thyer. Pas rrethimit të fshatit, me forca të shumta, policia e Dibrës ka arritur ta ngushtojë lakun e tij dhe rreth orës 22.15 ta arrestojë në një banesë të braktisur. "Ai tentoi t'i ikte policisë, por masat ishin marrë në mënyrë të atillë nga ai nuk mund të largohej", thanë drejtues të policisë Dibër. h.p