Parukierja kapet me drogë në autobus
GJIROKASTER - Pronarja e një salloni bukurie në Gjirokastër është kapur me drogë në tentativë për ta trafikuar drejt Greqisë. P. Këndella, 27 vjeçe, është arrestuar mbrëmjen e së enjtes nga ana e specialistëve të Hetimit dhe Krimit në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit me 11 kg marijuanë të presuar. E arrestuara ka mohuar që në momentet e para pronësinë e çantave në të cilat gjendej sasia e marijuanës së presuar. "Nuk kam dijeninë e tyre dhe nuk kam kurrfarë lidhje me to", kanë qenë fjalët e 27-vjeçares, ndonëse sipas policisë, çantat ku u gjet droga ishin ngjitur me sedijen ku ishte ulur e reja, në autobusin drejt Athinës. Burimet policore kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se, policia kufitare ishte vënë në dijeni për transportin e një sasie të caktuar marijuane nga Gjirokastra në Athinë dhe për këtë, ata kishin ndërmarrë një seri kontrollesh të imtësishme në automjete si dhe në autobusë të linjës me Athinën në zonën e Kakavijës. Ka qenë ora 21:30 minuta kur në Kakavijë mbërriti autobusi i radhës. Sapo është afruar në zonën e kontrollit fizik të automjeteve, kontrollorët kanë hyrë në bordin e autobusit, duke ushtruar një kontroll të imtësishëm edhe në pjesën e brendshme ku akomodoheshin udhëtarët. Në sediljen e parafundit janë konstatuar dy çanta, të cilat kanë qenë të mbushura me pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe, brenda të cilave kishte lëndë narkotike e llojit marijuanë. Policia Kufitare ka bllokuar përkohësisht autobusin dhe pasagjerët së bashku me 27-vjeçaren. Pavarësisht pretendimeve të vajzës, ajo është vënë në pranga, për të vazhduar marrjen në pyetje në komisariat, ndërsa autobusi është lënë i lirë në rrugën drejt Greqisë. p.n