E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, i ftuar tek krushqia, tenton të vrasë gruan

>Një grua i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes nga bashkëshorti i saj që ka tentuar ta masakrojë me thikë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gracë të Devollit, teksa një 40- vjeçar baba i dy fëmijëve është arrestuar nga policia nën akuzën e kanosjes serioze për vrasje. Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme, ku bashkëshorti ka tentuar të therë me thikë në sy të fëmijëve gruan e tij me të cilën porsa ishte bashkuar pas katër muaj ndarje, madje dhe prindërit e saj, në shtëpinë e të cilëve kanë shkuar për vizitë. Burime të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e prindërve të gruas, ku çifti Ceno ka shkuar për vizitë i shoqëruar madje dhe me dy fëmijët e tij. Në fakt konfliktet mes çiftit kanë qenë të vazhdueshme gjatë kohëve të fundit, ndërsa dhe qëllimi i vizitës në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës për autorin e ngjarjes Petrit Ceno ka qenë ai i vënies para përgjegjësisë së gruas edhe para prindërve të saj. Ai ka nisur të akuzojë të shoqen se ajo ka nisur ta tradhtojë pa pasur prova konkrete, ndërsa ka qenë për më tepër dhe nën efektet e alkoolit. Ndërsa ishin duke drekuar, duket se debati është kthyer në një konflikt, ku gruaja ka nisur të qajë, ndërsa Petrit Ceno ka rrëmbyer thikën e kuzhinës që gjendej mbi tavolinë për të vrarë të shoqen. Ndonëse prindërit e saj të moshuar kanë reaguar, ai i ka shkaktuar disa të çara të lehta, ndërsa është bllokuar në kohë nga disa pjesëtarë të tjerë të familjes Bregu në shtëpinë e të cilëve gjendej si mysafir. Kanë qenë vetë prindërit e vajzës që kanë njoftuar policinë, ndërsa kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke prangosur autorin e saj, i cili i ka lënë disa shenja të përgjakshme gruas, por për fat të mirë nuk e ka vrarë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›