E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësi në automjet, i merr jetën 25 vjeçarit nga Ballshi

>Një 25 vjeçar nga rrethi i Mallakastrës ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik. Shkak mësohet të jetë bërë shpejtësia me të cilën ai po drejtonte mjetin. Policia lokale bëri të ditur se 25- vjeçari nuk ka mundur të shpëtojë edhe pse menjëherë është futur në sallën e operacionit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:15 të pasdites së djeshme në aksin rrugor Fier-Ballsh, në vendin e quajtur Kthesa e Mbyetit. Automjeti drejtohej nga Bardhosh Latifi. Pasi ka dalë nga rruga dhe është batuar, ka rënë nga lartësia dhe më pas është pozicionuar përmbys në një sipërfaqe toke. Mësohet se 25- vjeçari Latifi, lindur e banues në Ballsh, ka humbur drejtimin e makinës si shkak i shpejtësisë. Por edhe mungesa e ndriçimit të rrugës si dhe infrastruktura e rënduar e kësaj të fundit ka ndikuar që mjeti të rrëzohet si fillim në anësore të aksit kombëtar dhe më pas të bjerë nga një lartësi prej afro pesë metra. Në vendngjarje, policia konstatoi se 25- vjeçari, i cili ndodhej i vetëm në makinë ishte plagosur mjaft rëndë. Ai është nxjerrë nga makina dhe më pas transportuar nga policia rrugore për në spitalin e Fierit. Mjekët e kanë futur menjëherë në sallë të operacionit, por ai nuk ka mundur t'i shpëtojë vdekjes. Mësohet se Bardhosh Latifi ka gjetur vdekjen rreth 15 minuta pas mbërritjes në spital. Aksi Fier-Ballsh, veçanërisht segmenti Fier-Patos, është bërë ditët e fundit një burim aksidentesh, jo vetëm si shkak i infrastrukturës, por edhe i ngricave në asfaltin e rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›