Ministria e Brendshme përgënjeshtron PS për dublimet në regjistrin e shtetasve
>Pas pretendimeve të Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e procesit të paisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, Ministria e Brendshme deklaroi për opinionin publik se gjithçka po ecën sipas plan kalendarit dhe parashikimeve për procesin.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme sqaroi qytetarët dhe opinonin publik në lidhje me pretendimin e Partisë Socialiste për numrin e shtetasve që figurojnë të dubluar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Sipas MB, numri i shtetasve që figurojnë të dubluar në regjistër është 50 392 dhe jo 100 mijë, siç u deklarua në selinë e Partisë Socialiste. Nga ana tjetër theksojmë edhe njëherë se është pikërisht formati elektronik i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që siguron një numër të veçantë identifikimi për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Nga numri personal që i jepet çdo shtetasi përcaktohet ekzaktësisht se sa dublikime ka në regjistër dhe ku ndodhen ato. Puna për pastrimin e këtyre dublikimeve vazhdon pandërprerje dhe do të përfundojë brenda tri javësh.