Devoll, vodhën shkollën e tyre, nën hetim 4 minorenë
Katër minorenë vjedhin shkollën e tyre, kapen nga policia vetëm mbas disa orësh. Shkolla 9-vjeçare e Babanit në rrethin e Devollit ka rënë pre e një vjedhje gjatë orëve të vona të natës enjte, teksa policia ka zbuluar në vetëm pak orë autorësinë e kësaj vjedhjeje për herë të parë të institucionit arsimor.
Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, mësohet se hajdutët kanë shfrytëzuar një dritare në katin e parë të shkollës 9-vjeçare Fuat Babani, duke e thyer atë. Më pas, grupi i hajdutëve ka shkatërruar dhe derën e sekretarisë nga ku kanë marrë prej andej kompjuterin e bashkë me të gjitha pajisjet e tij. Vjedhja është denoncuar në orët e para të mëngjesit të të premtes kur ka nisur mësimi, ndërsa policia ka arritur të godasë shumë shpejt në shenjë për të zbuluar autorët e tij. Ata janë katër minoren, nxënës të kësaj shkolle të cilët janë ndalur dhe më pas janë liruar për tu ndjekur penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre. K. A., 14 vjeç, nxënës në klasën e tetë, M. A., 16 vjeç, nxënës i vitit të dytë, I. H., 17 vjeç, nxënës i vitit të dytë, E. K., 16 vjeç, nxënës i vitit të dytë të shkollës, e cila ka rënë pre e vjedhjes së këtyre nxënësve. Të gjithë minorenët janë banorë të fshatit Baban, ndërsa akuzohen për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. Të rinjtë janë ndalur dhe marrë në pyetje, ndërsa kanë pranuar autorësinë e vjedhjes së shkollës, por nuk kanë dhënë shpjegime përse e kanë bërë këtë.