E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mbyll dyert më 28 qershor, të majtët bojkotojnë seancën e fundit

Mazhoranca miraton disa projektligje, pa praninë e opozitës 
Kuvendi Shqiptar do të mbyllë Legjislaturën e tij të XVII-të në datën 28 Maj, nëse opozita do të bjerë dakord. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, është miratuar me 76 vota projektvendimi për mbylljen e punimeve të Legjislaturës së XVII-të në datën 28 maj. Kryeparlamentarja Topalli ka falënderuar deputetët për kontributin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, ku ka veçuar faktin se pa këtë parlament dhe pa këtë maxhorancë nuk do të ishin realizuar reformat e jashtëzakonshme, në këto 4 vite në Shqipëri. Seanca e djeshme parlamentare ka nisur punimet me një orë vonesë për shkak se duheshin të paktën 73 deputetë për të miratuar dekretin e presidentit Topi për ndryshimet në qeveri, zëvendësimin e ministrit Anastas Duro me Viktor Gumin. Gjithashtu, në seancën e fundit parlamentare është miratuar edhe projektligji për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve të shkollave të larta, të qendrës së studimeve albanologjike. Para votimit të këtij projektligji, ministri i Arsimit Fatos Beja, duke e vlerësuar të rëndësishëm këtë vendim ka ftuar deputetët për miratimin e tij. Sipas tij në këtë projektligj bëhet ndërhyrje që profesorët e nderuar të marrin pension suplementar, ku financimet do të mbështeten nga buxheti i shtetit. Gjithashtu edhe kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë vendim shprehjen e aktit të mirënjohjes ndaj atyre personave që me përkushtim të madh në kushte të një diktature të egër, mbajtën gjallë frymën e dijes, themeluan katedra deri fakultete.
Miratohet projektligji për sigurimet suplementare të ushtarakëve
Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro projektligjin për sigurimet shoqërore suplementare për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Ministri i Financave, Ridvan Bode e ka cilësuar këtë një akt të rëndësishëm në trajtimin specifik të këtyre kategorive punonjësish. Sipas këtij ligji krijohet dhënia e sigurimeve suplementare për një kategori të gjerë punonjësish që janë në pension dhe të gjitha kategoritë e ushtarakëve, që përfitojnë sipas statusit të miratuar. Janë 10 lloj përfitimesh suplementare për këto lloj kategori dhe për të trajtuar në mënyrë të njëllojtë të gjitha kategoritë e ushtarakëve, të gjitha këto kategori do i nënshtrohen të njëjtave përfitimeve, në këto kushte krijohet domosdoshmëria e barabartë përpara ligjit.
65 milionë lek, fonde publike për subjektet zgjedhore
Kuvendi miratoi seancën e djeshme parlamentare, vetëm me votat e maxhorancës,  projektvendimin "Për shpërndarjen e fondeve publike për subjektet zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas p/vendimit "sasia e fondeve publike që do t'u shpërndahet këtyre subjekteve për procesin zgjedhor të 28 qershorit është 65 milion lekë". Gjatë seancës së djeshme parlamentare, kuvendi ka arritur të miratojë me 75 vota pro të mazhorancës, edhe projektligjin për bashkësitë fetare. Gjithashtu edhe projektligji për transfuzionin e gjakut është votuar nga 75 deputetë. Në lidhje me ndryshimet e votuara ka folur deputeti Shehu, i cili ka sqaruar se këto ndryshime janë të rëndësishme, sepse i jepet hapësirë shtimit të dhurimit të gjakut nga shtetasit shqiptarë. Sipas tij, ndryshimet e miratuara kërkojnë të fusin në një periudhë të re, donacionin e gjakut dhe nuk prekin ata persona që dhurojnë gjak me pagesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›