E Diel, 1 Nëntor 2026

Magani: Besa vrau frikën, jemi brenda pretendimeve

Nga Leonard Dushku

Trajneri i kavajasve, Gugash Magani, mendon se skuadra e tij ka treguar në Burrel se është një pretendente e denjë

Me ecurinë e saj relativisht të dobët Besa kishte vënë në pikëpyetje objektivin e këtij sezoni, por më në fund ka ardhur një sinjal i qartë se kavajasit mbeten pretendentë. Dhe ky sinjal ka ardhur në  transfertën e vështirë të Burrelit, ku Besa ka fituar bindshëm, 3-0. Ishte një fitore mbresëlënëse, duke gjykuar nga rezultatet që kjo skuadër kishte arritur më parë. Kavajasit kanë pasur vështirësi të fitojnë edhe në fushën e tyre, ndërsa në transfertë kishin vetëm një fitore, atë në Himarë.

Tani që po afron fundi i fazës së parë, Besa ka marrë një tripikësh me shumë vlera dhe mund të përgatitet e qetë për përplasjen me Elbasanin në fushën e saj. Natyrisht që duhej të ishte kjo kryendeshja e javës së 13-të, duke ditur vlerat e dy skuadrave dhe faktin që të dyja kanë rënë nga superliga, por pozicioni në tabelë u jep rëndësi sfidave të tjera. Aktualisht Besa mban vendin e 5-të në renditje, në kuotën e 20 pikëve, plot 8 pikë prapa Luftëtarit kryesues.

Magani Trajneri peqinas i kavajasve, Gugash Magani, nuk e ka fshehur entuziazmin pas fitores në Burrel. Ai thekson mes të tjerash se tashmë skuadra e tij ka vrarë frikën dhe është plotësisht në garë për ngjitjen në superligë. Ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi zhvilluar në këtë kampionat. E kishim vlerësuar maksimalisht atë dhe në fund morëm rezultatin e dëshiruar.

Më tepër se 3 pikët më gëzon fakti që Besa është çliruar, pasi ka fituar në fushën e një kundërshtari shumë të vështirë. Futbollistët treguan karaktet në fushë dhe në fund mendoj se i merituam plotësisht 3 pikët. Tani mendojmë për ndeshjet e radhës, duke nisur nga ajo me Elbasanin. Besimi në skuadër është më i madh dhe them se kemi hyrë në rrugën e duhur. Besa është pretendente dhe në vazhdim do të shfaqë vlerat e saj më të mira, është shprehur trajneri i kavajasve, Gugash Magani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›