OSBE letër Berluskonit: Tërhiq paditë kundër mediave të lira
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i kërkon Silvio Berluskonit të tërheqë paditë kundër mediave italiane, “Repubblica” dhe “Unità”. Në një letër, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e shtypit, Miklos Harszti, tha se është i shqetësuar për veprimet ligjore të ndërmarra nga një kryeministër i qendrës së djathtë kundër gazetave të së majtës, të cilave iu kërkohen tre milionë euro. Dhe për sa i përket dhjetë pyetjeve të “Repubblica”, drejtuar Berluskonit, ai tha se, “Të bësh vazhdimisht pyetje, edhe pse të anshme, është mjet i funksionimit korrekt të mediave. E drejta e informimit të publikut përfshin në mënyrë të paevitueshme të drejtën e mediave për të bërë pyetje. Drejtuesit politikë duhet të pranojnë një lloj niveli kritike më të lartë se qytetarët e tjerë, për shkak të funksionit që kryejnë”. Ndërkohë firmat që po mbledhin mediat për të mbrojtur lirinë e shtypit, me të cilat kundërshtojnë sjelljen e Berluskonit dhe padinë e tij kundër gazetave opozitare, kanë arritur në 400 mijë. Pas drejtuesve të gazetave më të mëdha evropiane, janë bashkuar edhe tre juristët e gazetës “Repubblica” mbi lirinë e informacionit. Dje ka mbërritur edhe nënshkrimi i një prej artistëve më të mëdhenj të botës, Sting (Gordon Matthew Sumner). Edhe një tjetër artiste e madhe e teatrit, Anna Proclemer, ka apeluar kundër Berluskonit. Autorja dhe gazetarja e çmimit “Pulitzer” të vitit 2007, Elizabeth Strout, ka dërguar gjithashtu nënshkrimin e saj kundër akuzave të Berluskonit dhe pro mbrojtjes së lirisë së shtypit. Veç saj, poetja e madhe polake, Wislawa Szymborska, ka firmosur peticionin duke e çuar në shtatë numrin e nobelistëve kundër Berluskonit, të nisur nga gazeta “Repubblica”. Me ta edhe filozofi e sociologu francez, Edgar Morin dhe Orlando Figes, historiani britanik i “best seller-ve”, librave më të shitur. Regjisori boshnjak, Emir Kusturica është në listën e peticioneve, duke nënshkruar në emër të Fondacionit të arteve, “Solares”. Në listë janë edhe shumë eurodeputetë.