Neonazistët, fantazma që vërtiten rreth Europës
Cilët janë dhe nga vijnë hajdutët e tabelës simbol të Aushvicit? "Është një dekoratë lufte", deklaroi prerazi Avner Shalev, drejtor i Muzeut të Holokaustit në Jerusalem.
Për të kuptuar fjalët e tij duhet parë fotografia e "skenës" nacionaliste, neonaziste dhe antisemite e Europës. Një erë që fryn me shpejtësi të madhe, sidomos nga vendet e Lindjes: nga Polonia në Hungari, deri në Bashkimin Sovjetik. Një galaktikë komplekse dhe e fragmentizuar, që frymëzohet drejtpërdrejt nga Rajhu i Tretë, edhe për sa u përket simboleve. Rrjeti i nazistëve të rinj i ka shtrirë kufijtë e tij nga zemra e Gjermanisë në Francë, nga Spanja në vendet skandinave, nga Anglia në laboratorët e rinj të Lindjes, Poloni, Rumani, Hungari, nga Greqia në Qipro, Itali dhe pastaj në Rusi. "Po përhapet një urrejtje sa e vjetër aq edhe e re kundrejt hebrenjve, duke u bërë diçka e vazhdueshme dhe e zakonshme", tregon Cono Tarfusse, gjykatës në Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare të Hagës. "Është një ndjenjë e thellë dhe në të njëjtën kohë boshe, e përhapur nga informacionet nacionaliste me tipare të theksuara ksenofobe. Risia është se armiqësia nuk është vetëm kundrejt emigrantëve, homoseksualëve, minorancave etnike e fetare, por edhe kundër hebrenjve, si ata të djeshmit ashtu dhe ata të sotmit. E vërteta është se shoqëria, si pasojë e mungesës së kulturës, nuk arrin të vendosë kufij natyrorë në gjendje t‘i izolojë këta njerëz, mos t‘i lërë hapësirë dhe terren kultivimi". Sot, që nga koha e fundit të komunizmit, ky fenomen ka dimensione të rëndësishme, sidomos në Lindje". Parti, organizata apo grupe të ndryshme, sipas vlerësimeve mendohen se janë 250 mijë militantë neonazistë në Europë. 50 mijë të tjerë vetëm në Rusi. Rrjeti i lidhjes është interneti. Në Poloni gjendet liga e familjeve polake, aleanca e partive nacionaliste që zgjodhi President të Republikës Lech Kaczinski. Vendimtare për fitoren në balotazhin e vitit 2007 ishte ndihma e dhënë nga radio "Maryja", një transmetues klerikal, antikomunist, por mbi të gjitha antisemitist (shumë herë është dënuar nga Vatikani), që iu drejtua rreth dy milionë zgjedhësve. Polonia kufizohet me Gjermaninë në perëndim dhe në jug me Republikën Çeke e Sllovakinë. NPD (Partia Nacional-Demokrate gjermane, themeluar 45 vjet më parë nga ish-pjesëtarë të Partisë socialiste të Rajhut gjerman) e Ugo Voight vazhdon të prezantojë përfaqësuesit e saj në landet e ndryshme. Pavarësisht se një pjesë e popullsisë e quan një parti filonaziste, raciste dhe antisemite. Le të zhvendosemi në Europën Qendrore. Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia: tri vende me demokraci të re pas më shumë se gjysmë shekulli komunizëm dhe sot pjesë e BE-së. Në Bratislavë ekstremizmi antisemit u përhap në qeveri nga Kryeministri populist Robert Fico. "Fundi i komunizmit hoqi pengesat për të djathtën ekstreme. Dikur ishte margjinale, ndërsa sot po rritet me shpejtësi në çdo anë", shpjegon Guiseppe Scaliati, autor i esesë "E djathta radikale në Europë". Në Budapest, rreth 7 mijë pasuesit e gardës hungareze sfilojnë në qendër të veshur me uniforma të zeza, me kryqe të thyer në krah. Evokojnë Holokaustin, ëndërrojnë një "zgjidhje përfundimtare për çështjen e romëve" dhe përballen me policinë në përleshje të dhunshme në Pragë. Romët kanë përfunduar edhe në shënjestrën e rumunëve të "Noua Dreapta" (ND), ekstremistët që kanë ngjallur gardën e hekurt të antisemites Corneliu Zelea Codreanu, aktive në vitet ‘30. Të rinj, të veshur me këmisha jeshile ose të zeza, e konsiderojnë veten si organizata më e rëndësishme neolegjionare e Rumanisë. "Duam të zgjojmë ndërgjegjen e njerëzve duke i paralajmëruar për rreziqet që kërcënojnë popullin rumun", tregon lideri 30-vjeçar, Tudor Ionescu. Në Serbi dhe Kroaci nostalgjia për liderët e vjetër nacional-socialistë, mbështetës të spastrimit etnik përzihet me intolerancën ndaj lobimeve hebrenje. "Zonat e Ballkanit janë laboratori i privilegjuar i nazistëve të rinj. Aty bëhet një përzierje dhe marrëveshje mes lëvizjeve të Europës Perëndimore dhe atyre të vendeve të Lindjes. Për shembull, neofashistët italianë kanë raporte shumë intensive me këto vende", shpjegon specialisti Saverio Ferrari. Në Rusi, sipas burimeve të policisë, mendohet se janë mbi 50 mijë militantë neonazistë aktivë në ish-Perandorinë Sovjetike. Vetëm në Shën Petërburg numërohen rreth 20 mijë "Skinhead". Janë pikërisht ata autorët e një sërë agresionesh kundër qytetarëve të huaj, nën moton "Rusia për rusët". "Uniteti nacional rus", "Grupi nacional-socialist" janë dy grupimet më të rëndësishmet në vend. Ata rreshtohen përkrah "Combat 18", grupimeve të videove me dhunë dhe paradave nazistë në "YouTube". Në vitin 2007, një xhirim dramatik bëri xhiron e botës: neonazistët e rinj që i prisnin kokën një të riu me origjinë nga Kaukazi. Përgjegjësinë e morën nacional-socialistët e "Rus" (fjalë e përdorur nga neonazistët për të përcaktuar atdheun e tyre). Të tjera parti për t‘iu referuar janë Partia Nacionale e Popullit me 15 mijë militantë, gjysma e të cilëve nën 22 vjeç, Partia Liberal-Demokrate e Vladimir Zhirinovskit, zëvendëspresident i Dumas ruse, i detyruar në vitin 2003 të pranojë origjinën e tij hebreje. Të shtien frikën nacional-socialistët e Konstantin Kasimovski, që i referohen ideologjisë hiltleriane dhe që kanë si simbol kryqin e zi. Në Angli, pas agresionit të liderit të "British national party", Nick Grifin, në dëm të një nxënësi hebre është rritur intoleranca drejt popullsisë me origjinë izraelite. Njëlloj si në Francë, ku Fronti Nacional i Le Penit, që u rendit i treti në zgjedhjet e 2007-s me 17.79 për qind, po fiton terren. Në Spanjë po avancojnë neonazistët e Falangës spanjolle; në Greqi Aleanca Patriotike e ka zgjedhur liderin e saj edhe në Parlament, ndërsa ekstremistët e "Laos" dhe "Albadoro" kërkojnë të bëjnë edhe një lloj festivali për nazistët e rinj. Në Suedi po kthehet në modë Partia e Rajhut nordik, e themeluar në vitin 1956 dhe drejtuar nga "luftaraku" Assar Oredsson. Në Austri kemi Bzoe, lëvizjen e themeluar nga Jorg Hider. Informacionet e Shërbimeve Sekrete Gjermane flasin për grupe neonazistësh që veprojnë në kufirin mes Austrisë dhe Gjermanisë, më konkretisht në qytetin e lindjes së Hitlerit në Branau. Në fund vjen Italia, ku përmendim Forca e Re, Rinia Hitleriane etj.