"Piramida", pajisjet për falsifikime nga Italia
Prokuroria e Tiranës ka zbuluar edhe prejardhjen e pajisjeve elektronike që përdoreshin për falsifikimin e kartëmonedhave, lekë. Skanerët dhe printerët vinin nga shteti italian dhe ishin mjaft profesionalë në kopjim. Sipas akuzës, paratë e falsifikuara nuk kishin shumë elementë sigurie, ndërsa kishin mjaft të mirë bojën. Njëzetegjashtë të arrestuarit gjatë operacionit të koduar "Piramida", bënin një jetë luksi plot me dëshira me paratë e fituara nga aktiviteti i falsifikimit të tyre. Nga përgjimet e realizuara nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se të pandehurit, pasi merrnin ryshfetet, blinin automjete të shtrenjta. Sipas akuzës, Artur Pashka konsiderohej si organizatori i këtij rrjeti kriminal. Ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, për më shumë se një vit ka prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës "5 Maji", ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Ata kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. Ndërkohë që grupit i është sekuestruar shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë të reja, kompjuterë dhe laptop, të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, që shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara. Gjithashtu, janë sekuestruar makineri për prerjen e kartëmonedhave të falsifikuara, USB, që përmbante materialet e krijuara për realizimin e kësaj veprimtarie. Ndërkohë, shumica e parave që falsifikoheshin përdoreshin për jetë luksi nga të arrestuarit, duke i shpërdoruar ato në blerjen e dozave të drogës, makina, si dhe për seks. Gjashtë prej të ndaluarve dyshohen edhe për vjedhje, pasi në banesa u janë gjetur sende dhe maska, me të cilët mund të kryenin grabitje.