E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Orient Ekspres"

Ky do të ishte një komplot i denjë i Agata Kristit: të kërkojë një vrasës mes dhjetë a më shumë të pandehurve. Në këtë rast bëhet fjalë për të zbuluar se cila është viktima e vërtetë mes shumë "kufomave". I vdekuri, edhe pse është e vështirë ta quash kështu, me trupin e tij tepër elegant, është një tren të cilin e kanë vrarë edhe herë të tjera: legjendari "Orient Ekspres", sinonimi i udhëtimeve të luksit, i spiunëve, i fisnikëve të rrënuar, femrave fatale, kuzhinës së rafinuar, aventurës, magjisë dhe ekzotizmit. Prej kohësh ky tren, që e filloi udhëtimin e parë në vitin 1883, lidhte pjesën veriore të Parisit me Stambollin. Shërbimet e tij u ndërprenë, për shkak të luftërave botërore mes viteve 1914-1921 dhe 1939-1945, për t‘u mbyllur më pas përfundimisht në vitin 1977, si pasojë e konkurrencës së transportit ajror. "Orient Ekspres" është një kornizë që të sjell menjëherë në mendje një skenar të mrekullueshëm, objekte dhe situata të përshkruara e të treguara nga artistë e shkrimtarë, të cilët edhe sot imagjinojnë sikur jetojnë situata dhe aventura krejt ndryshe nga jeta dhe zakonet e përditshme. Ishte treni i mbretit, aristokratëve, politikanëve e artistëve. Vagonët e tij kanë qenë dëshmitarë dhe skenarë të shumë ngjarjeve të historisë europiane, me aventura dashurie e histori pasionante të spiunazhit. Në fakt, sot ky tren nuk ekziston më. Pjesë e këtij "personazhi" janë bërë edhe shumë libra e filma të ndryshëm. Vagonët origjinalë janë shpërndarë mes muzeve dhe hangarëve të ndryshëm të koleksionistëve, itinerar ky i copëtuar dhe i ripërshtatur mes kombeve të ndryshme e kompanive hekurudhore. Në fund të javës së kaluar, "Orient Ekspres" bëri udhëtimin e tij të fundit, duke përshkuar Strasburgun dhe Vjenën, pastaj miti i shekullit XIX doli në pension. Ai që bëri të ditur lajmin ishte shtypi britanik, ose më saktë shkrimtarët e vendeve që kanë kontribuar më shumë që ta fusnin "Orient Ekspresin" në fantazinë popullore. Natyrisht e para është Agata Kristi, me hetimin e Herkul Poirot në romanin "Vrasësi në Orient Ekspres", i cili më pas u bë një film po aq i bukur sa libri. Romani flet për aventurat e detektivit Herkul Poirot, i cili detyrohet të udhëtojë për në Kalais me trenin e famshëm "Orient Ekspres". Shkrimtarë të tjerë, të cilët kanë kontribuar për ta futur trenin e famshëm në fantazinë popullore janë edhe Graham Greene me romanin "Treni për në Stamboll" dhe "Në udhëtim me tezen" dhe Ian Flemming me filmin e dytë: "James Bond nga Rusia me dashuri". Gjithashtu edhe filmi "Romancë në Orient Ekspres" është realizuar në këtë tren. Është një histori dashurie mes dy të rinjsh, e cila krijohet, shumëfishohet, përfundon dhe rinis sërish. Filmi është bazuar në romanin me të njëjtin emër.
"Orient Ekspres" është zhdukur nga hekurudhat për dy arsye: nga njëra anë janë avionët me kosto të ulët që lidhin të gjithë Europën dhe Mesdheun, ndërsa nga ana tjetër janë trenat elektrikë. Ndoshta një kategori njerëzish nuk do të zgjidhnin as njërën e as tjetrën, por "Orient Ekspres" ishte vjetruar shumë: ishte bërë një elozhe e ngadalësisë në epokën e shpejtësisë. Ngjante i padukshëm në këtë botë frenetike. Në fakt, "vdekja" e tij është anonçuar sa herë që ndryshonte ndonjë gjë. Ndërsa në vitet ‘60 u ndërpre linja komplete Paris-Stamboll, më vonë lindi një tjetër "Orient Ekspres" me emrin "Venice Simplon-Orient-Express", i cili përshkonte Venecian dhe Stambollin një herë në javë, për disa muaj rresht. Kostoja për një person arrinte në dy mijë euro. Një udhëtim me "Venice Simplon-Orient-Express" ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme, në kërkim të relaksit dhe komfortit total. Ai prekte shumë qytete europiane dhe u jepte mundësinë pasagjerëve të rijetonin magjinë e udhëtimeve luksoze të viteve ‘20. Itinerari më klasik ishte Londër-Paris-Venecia, por ai lidhte mes tyre edhe shumë qytete të tjera. Ambienti ishte i këndshëm e shumë qetësues dhe personeli i trenit kërkonte gjithmonë të kënaqte në maksimum çdo dëshirë të pasagjerëve. Në fakt, "Venice Simplon-Orient-Express" ishte një tren privat, jo publik si i vërteti. Më shumë se një tren, sot mund të thuhet se është një markë, si "Disneyland", i cili ka hapur nëndegët e tij në Azi dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë tren udhëtojnë vetëm turistë dhe të duket sikur je në "Orient Ekspresin" e vërtetë. Natyrisht që nuk mund të hipin njerëzit e thjeshtë, aq më pak spiunë, fisnikë të rrënuar dhe femra fatale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›