E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumunët: Piturka ndaloi "masakrën"

Rumania nuk e ka shitur ndeshjen me Shqipërinë, në të kundërt ka evituar një turpërim më të thellë të kuqezinjve. Sipas mediave rumune, ky është reagimi i Federatës së Futbollit të këtij vendi, pasi ka mësuar për akuzat e Kryeministrit Berisha për shitjen e ndeshjeve të fundit të Kombëtares. Ka qenë vetë presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Mircea Sandu, ai që ka komentuar me këto akuza, duke i cilësuar si të pabazuara dhe aspak normale. Për të treguar qëndrimin e tij, ai nuk ka evituar as një batutë mbi formën shumë të dobët të përfaqësueses kuqezi në atë takim. "Po të mos ishte për trajnerin që u kërkoi lojtarëve të ndaleshin, ndeshja do të mbyllej 10-1", ishin fjalët e Sandu. Me këtë frazë, ai ka lënë të kuptohet se tolerimi i përmendur nga Kryeministri Berisha ka qenë nga pala rumune dhe jo ajo shqiptare.

Shpjegimi

Sandu ka zbuluar enigmën e minutave të fundit të lojës në takimin Rumani-Shqipëri, të përfunduar me rezultatin 6-1 në favor të ekipit vendas dhe të akuzuar si ndeshje e shitur nga ana e drejtuesve të shtetit shqiptar. Sipas presidentit të Federatës Rumune të Futbollit, ka qenë trajneri Piturka që ka ndalur lojtarët e tij dhe u ka kërkuar që të mos shënonin më në portën shqiptare, për të respektuar kuqezinjtë. Në fakt, pas përfundimit të ndeshjes, Piturka është shprehur i çuditur me këtë paraqitje të dobët të Shqipërisë, por nuk bëri të ditur se kishte qenë ai që kishte ndaluar një goleadë më të thellë në portën e Beqajt. Por, pas akuzave të Kryeministrit shqiptar, presidenti Sandu e ka parë të udhës të tregojë këtë detaj, që tregon qartësisht situatën kaotike që ka përjetuar përfaqësuesja shqiptare ndaj Rumanisë.

Dyshimet

Mediat rumune kanë bërë të ditur se edhe takimet e skuadrave shqiptare në Kupat e Evropës janë përfolur si të manipuluara. Kur Dinamo u mund 4-0 nga Otelul Galati në takimin e vlefshëm për Kupën UEFA, rezultati u cilësua si i trukuar, gjithmonë nga pala shqiptare. Sipas mediave rumune, futbollistët shqiptarë kishin vënë shuma të mëdha për rezultatin ekzakt me të cilin përfundoi takimi në disa kompani bastesh në Austri. Dinamo u mund 4-1 edhe në ndeshjen e kthimit në Tiranë dhe në atë kohë u fol për një hetim edhe nga pala shqiptare, por si zakonisht, gjithçka u la në heshtje, pasi nuk u gjetën asnjëherë prova.

Analiza

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të mblidhet sot për të diskutuar situatën e krijuar pas dy ndeshjeve të fundit të kombëtares dhe akuzave të hedhura nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Anëtarët e KE-së kanë përgatitur një relacion mbi këto dy ndeshje, ndërsa do të analizojnë paraqitjen e futbollistëve në këto dy takime. Mendohet që pas kësaj analize, e para në llojin e saj në historinë e viteve të fundit të FSHF-së, të kërkohet të evidentohen shkaktarët e kësaj krize të papritur, që solli jo vetëm dështimin në arritjen e objektivave të kombëtares, por edhe dorëheqjen e parevokueshme të trajnerit Bariç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›